
Sporti ka bërë bashkë ata që politika nuk arriti t’i afrojë. Dy Koretë do të prezantohen së bashku nën flamurin Korean në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës Dimërore në PyeongChang, më 9 shkurt. Kjo është një nga pikat për të cilat kanë rënë dakord zyrtarët e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut në takimin e sotëm në Panmunjom, një zonë në kufirin mes dy vendeve.
Por nuk është kjo e vetmja marrëveshje e arritur. Të dy vendet do të kenë një skuadër të përbashkët të hokejt për femra. Mes propozimeve të marrëveshjes është edhe mbërritja e 230 nxitëseve të tifozëve nga Koreja e Veriut.
Pas marrëveshjes do t’i hapet rrugë mbledhjes së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Takimi mes këtij të fundit dhe përfaqësuesve të dy Koreve do të mbahet më 20 janar, në Lozanë.
Mbledhja do të drejtohet nga kreu i Komitetit Olimpik Ndëkrombëtar, Thomas Bach.
Aty do të diskutohen modelitetet e pjesëmarrjes së koreanoveriorëve në olimpiada, pasi afati i regjistrimit ka përfunduar. Në këtë mënyrë do t’u jepet zgjidhje çështjeve si himni, flamuri, protokolli ceremonial dhe uniformat.



