Analisti dhe gazetari Mustafa Nano e sheh të vështirë qeverisjen në mandatin e radhës, pavarësisht se cila forcë politike do të dalë fituese e zgjedhjeve të 25 prillit. Në një analizë në studion e lajmeve të TvT, Nano tha se mungesës së vizionit që ka treguar qeveria Rama lidhur me ekonominë e vendit, i janë shtuar edhe tërmeti dhe pandemia, duke e çuar borxhin publik në nivele të papara.
“Kjo maxhorancë përvec vizionit jo shumë të qartë lidhur me ndërhyrjen strategjike në ekonominë e vendit, përveçse penalizohet nga probleme si pronat dhe sistemi i drejtësisë, kjo qeveri është penalizuar edhe nga dy ngjarje si Covidi dhe tërmeti. Këto e kanë mbingarkuar. Mandati tjetër do të jetë më i vështiri për çdo qeveri. Borxhi publik ka shkuar në shifra stratosferike, flitet që është mbi 90%”, tha ai.
Formalizimin në gjykatë të partisë së deputetit Myslim Murrizi, Nano e sheh si një hyrje të re që duhet testuar në elektorat.
“Është një parti që ka lindur nga e djathta. Ka një marrëdhënie shumë të vështirë me PD. E kam të vështirë ta shoh në aleancë me PD dhe PS. Por duhet të shohim peshën e saj elektorale. Mund të rezultojë një flluskë sapuni”, tha ai.
Lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve, e cila është në proces te të dy partitë e mëdha, Nano tha se përveç propagandës, nuk sjell asgjë të re.
“Këtu rekrutohen njerëz që janë pjesë e enturazhit të kryetarit. Nëse një njeri i aftë dhe i përgatitur do të marrë pjesë në jetën politike të vendit, ai nuk mundet të hyjë nëse nuk ka mbështetjen politike. Loja brenda PD është një lojë e mbyllur, duan të na hedhin hi syve”, tha ai.



