
Marrja nën kontroll e Afganistanit nga talebanët ka detyruar Bankën Botërore të ndërpres financimin për projektet e nisura në këtë vend. Ajo ka ngritur shqetësimin se si kontrolli i talebanëve do të ndikojë "në perspektivat e zhvillimit të vendit, veçanërisht për gratë".
Ky veprim vjen vetëm disa ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pezulloi pagesat për Afganistanin. Administrata e Biden gjithashtu ka ngrirë asetet e bankës qendrore të Afganistanit që mbahen në SHBA.
Në një deklaratë Banka botërore shprehet se, "Ne kemi ndalur disbursimet në operacionet tona në Afganistan dhe po monitorojmë dhe vlerësojmë nga afër situatën në përputhje me politikat dhe procedurat tona të brendshme. Ne do të vazhdojmë të konsultohemi ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe partnerët e zhvillimit. Së bashku me partnerët tanë ne jemi duke eksploruar mënyra se si mund të mbetemi të angazhuar për të ruajtur fitimet e projekteve të zhvillimit të arritura me vështirësi dhe për të vazhduar të mbështesim njerëzit e Afganistanit."
Që nga viti 2002, institucioni financiar me seli në Uashington ka angazhuar më shumë se 5.3 miliardë dollarë për projektet e rindërtimit dhe zhvillimit në Afganistan. Ndërkohë Banka Botërore ka arritur të tërheq nga Kabuli ekipin e saj dhe familjet e tyre në mënyrë të sigurtë.
Vendimi i Bankës Botërore për të pezulluar pagesat për Afganistanin është goditja e fundit financiare ndaj qeverisë së re të vendit. Javën e kaluar, FMN njoftoi se Afganistani nuk do të jetë më në gjendje të ketë qasje në burimet e huadhënësit global.
Rreth 440 milionë dollarë rezerva të reja monetare ishin vënë në dispozicion të vendit nga 23 gushti. Gjithashtu në ditët pasi talebanët morën kontrollin e Kabulit, Shtëpia e Bardhë tha se çdo pasuri që banka qendrore e Afganistanit ka në SHBA nuk do të vihej në dispozicion të talebanëve.



