Gazetarja Ola Xama komentoi në MCN Live deklaratat e forta të bëra dje nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në një intervistë ku u pyet për aferën e inceneratorëve. Xama tha se më shumë duket që Ahmetaj ka dalë për të negociuar diçka se sa për t’i shërbyer interesit publik, pasi nuk nxori dokumente dhe fakte për zbardhjen e plotë të skemës. Megjithatë sipas gazetares, përmendja e emrit të Veliajt, që mund të jetë pronari de facto i inceneratorit të Tiranës, merr vlerë për institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik. Xama vuri në dukje se Ahmetaj ishte në një linjë me Mërtirin, dhe zv.kryeministri gishtin e vuri vetëm te inceneratori i Tiranës.
Intervista që dha ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj merr më shumë vlerë të një presioni që mund t’u bëhet institucioneve të drejtësisë që të hetojnë të gjithë aferën e inceneratorëve, por patjetër që munguan si dokumentet ashtu edhe faktet që ai mund t’i nxirrte, dhe besoj se ai edhe i ka, dhe po ashtu mungoi edhe vendosja e emrave te skema se kush ka bërë çfarë. Deri tani dimë faktin që para publike janë paguar 135 milionë euro për të tre inceneratorët. Kaq ka marrë Elbasani. Kush e ka bërë Elbasanin? Kush e shpalli emergjencën? Si u shpall emergjenca? Kush i mori 17 vendime brenda ditës?
Nga ana tjetër, ka edhe një kontradiktë te intervista, që vet ai tha, që për të procedura ishte në rregull dhe nga ana tjetër tha kush i mori 17 vendime brenda ditës, se nuk i hetojnë këto dhe unë nuk kam fuqi. Te kjo pjesë dukej sikur z.Ahmetaj më shumë ka dalë për të negociuar diçka, për të dhënë një mesazh i cili ka nënkuptime, sesa për t’i shërbyer interesit publik, që është edhe interesi i drejtësisë që të thotë se kush ka bërë çfarë. Kalojmë te çështja e inceneratorit të Fierit. Po ashtu edhe aty duhet të thoshte kush i ka marrë paratë, sa i ka marrë.
Në fakt po të bashkosh Fierin dhe Elbasanin, mua mu duk në të njëjtën kronologji që ishte edhe intervista e z.Mërtiri, para disa javëve, sepse Mërtiri tha si në rastin e Elbasanit, si në rastin e Fierit kompanitë kanë dalë me humbje. Të njëjtën teori, në të njëjtën linjë, deklaroi një ditë më parë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, dhe gishtin ai e vuri vetëm te Tirana. Nuk përjashtoi miqësinë që kishte me Mirel Mërtirin. Dha edhe një version si kishte përfituar pagesat, të cilat ia kishte dhënë në dorë Mirel Mërtirit, kur kishte fjetur në hotel dhe kishte qenë me pushime.
Dha një version të tij më shumë për ta besuar publiku, dhe për të rregulluar imazhin e tij, sesa t’i shërbente interesit të opinionit publik, për të denoncuar ata që kanë bërë këto afera të cilat deri më tani janë gjetur korruptive. Denoncim patjetër që është Tirana, por dikush që del për të thënë një të vërtetë, duhet të zbardhë të gjithë skemën. Te Tirana z.Ahmetaj me tone të nënkuptuara ai la të kuptohej që dikush më lart se ai, mbase kryeministri mbase dikush tjetër që është në nivel më të lartë në hieararkinë shtetërore, është fajtor, dhe ka faj dhe përgjegjësi të procedura e inceneratorit të Tiranës. Ajo që merr vlerë për institucionet e drejtësisë, por dhe opinionin publik është fakti që z. Ahmetaj deklaroi se përse SPAK nuk zgjedh që të shohë që pronari ‘de facto’ i inceneratorit të Tiranës mund të jetë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Kjo është një fjali që mund të ketë vlerë dhe mbase ushtron edhe presion mbi autoritetet e drejtësisë që të hetojnë me të vërtetë Tiranës, sepse Tirana nuk është hetuar, më shumë janë sjellë rrotull, ashtu siç deklaroi ai, ashtu siç kemi thënë edhe ne më parë, dhe s’është hetuar, s’janë gjetur paratë.
E tha me emër Erion Veliajn. Unë jam shprehur me shkresa tha, dhe nuk jam unë ai që mori përsipër financimin tha, unë isha kundër që buxheti të paguante 128 mln euro sepse nuk i kishte, në momentin që dikush e merr përsipër financimin që është Erion Veliaj, e përmendi Veliajn. Ai tha që financimin e ka marrë përsipër Veliaj dhe SPAK-u me akuzon që nuk mbrojta buxhetin e shtetit nga ai që e mori përsipër. Kur e thotë ish-ministri i Financave merr një vlerë dhe një presion, që SPAK të shohë nëse ka ndonjë përgjegjësi z.Veliaj. Ai mund të ketë përgjegjësi shumë, por e shpjegoi shumë mirë që ministri i financave sheh implikimet buxhetore, nuk sheh nëse e ka në përputhje me ligjin apo jo shkresën kryetari i bashkisë”.



