E.N / TemA TV
Snajperisti, që shokoi të gjithë SHBA-të duke vrarë 5 policë të Dallasit dhe duke plagosur 7 të tjerë gjatë një manifestimi paqësor kundër dhunës ndaj njerëzve me ngjyrë nga ana e autoriteteve, tashmë është identifikuar. Sipas mediave amerikane qitësi është 25 - vjeçari Micah Johnson. Zyrtarisht Johnson ka vendosur një tjetër rekord tragjik në SHBA, numëri më i lartë i policëve të vrarë në një ngjarje të vetme që nga 11 shtatori 2001.
Agresori mësohet të ishte reservist në ushtrinë amerikane. Ndërsa sipas Shefit të Policisë të Dallasit, David Brown, Johnson ishte tejet i inatosur nga vrasjet e kohëve të fundit, ku njerëz me ngjyrë janë qëlluar për vdekje me armë zjarri nga ana e policisë. Gjithashtu Brown shtoi se Johnson tashmë është vrarë me eksploziv nga forcat e policisë falë përdorimit të një roboti që arriti të depërtonte në ambientet e godinës ku po strehohej dhe po bënte rezistencë qitësi.
"Ai tha se ishte i mërzitur mbi Black Lives Matter (lëvizje për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve me ngjyrë), Johnson tha se ishte i shqetësuar në lidhje me vrasjet e fundit të policisë. I dyshuari tha se ai ishte i inatosur në njerëzit e bardhë. I dyshuari tha se ai donte të vriste njerëz të bardhë, sidomos oficerë policie të bardhë" - ishin këto arsyet e dhëna nga snaiperisti gjatë negociatave dhe të bëra publike gjatë një konference për mediat kreu i policisë, Brown.
Autoritetet shtojnë se vrasësi kishte deklaruar gjatë negociatave se nuk i përkiste asnjë grupi dhe se kishte vepruar vetëm, pavarësisht se policia kishte deklaruar më parë se bëhej fjalë për disa qitësa. Nga ana tjetër gjithsesi dyshimet për pjesmarrje në sulm bien edhe mbi tre persona të tjerë, të cilët janë arrestuar nga policia në vendngjarje dhe po merren në pyetje nga autoritetet.
Ky sulm i Johnson ndërpreu një parade paqësore mbrëmjen e së enjtes, rreth ores 20:45, gjatë kohës që qindra demonstrues po marshonin në qytet duke shpërndarë panik në masë të madhe në turmë. Forcat e policisë së Dallasit e kanë komentuar sulmin si një pritë të organizuar dhe të ekzekutuar me shumë kujdes.
Për më shumë mbi ngjarjen: Tmerr në SHBA, qëllohen 5 oficerë policie me snajper gjatë një proteste
Më poshtë video amatoriale nga përplasja me armë e policisë me snajperistin.



