
Tensionohet situata në Elbasan katër ditë para votimit. Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur pak pas mesditës në lagjen "5 Maji".
Mësohet se viktima është Pjerin Xhuvani, ish-kryetar i LSI-së në Elbasan dhe kandidat për deputet në 2013.
Të plagosur janë edhe Eltjon Bodinaku, efektivja Xhensila Sota dhe dy të tjerë.
Ndërkohë mësohet se është vetëdorëzuar autori i dyshuar i vrasjes. Ai është Arbër Papleka, ish-efektiv i RENEAS.
Burime për MCN TV bënë të ditur se shkak për ngjarjen është bërë një automjet i cili po shpërndante para në këmbim të votës. Dyshohet se kjo po bëhej në emër të Partisë Socialiste, por mbetet ende i paqartë roli i viktimës.
Në ndihmë të policisë së Elbasanit janë nisur forcat RENEA.
Zona ku ka ndodhur ngjarja është ndër më të populluarat.
Kush është viktima
Pjerin Xhuvani ka mbajtur postin e drejtorit në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe është arrestuar në vitin 2015 për skandalin e rimbursimeve të ilaçeve, me një dëm prej 56 milionë lekë të reja.
Në vitin 2017 Xhuvani ka kaluar nga LSI te PDIU-ja, ndërsa së fundmi i është bashkuar Partisë Socialiste.
Emri i tij ishte në listën e atyre që denoncoi opozita pas përplasjes së simpatizantëve të PD-së me ata të PS-së në Ditën e Verës.



