Paralizohet Gjykata e Tiranës, Administrata Civile dhe Penale futen në bojkot për pagat e muajit gusht

Paralizohet Gjykata e Tiranës, Administrata Civile dhe Penale futen në bojkot për pagat e muajit gusht

Sistemi i drejtësisë në kryeqytet ka hyrë në një ngërç të thellë funksional mëngjesin e sotëm, pasi administrata e Gjykatës së Tiranës ka vendosur të bojkotojë totalisht punën për shkak të moskalimit të pagave të muajit gusht. 

 

Bojkoti, i cili nisi fillimisht nga Dhoma Civile, është shtrirë me shpejtësi edhe në Dhomën Penale, duke bërë që në institucion të zhvillohen vetëm seancat që lidhen me vlerësimin e masave të sigurisë, ndërkohë që të gjitha shërbimet e tjera për qytetarët janë bllokuar plotësisht.

 

Punonjësit e administratës kanë vënë zyrtarisht në dijeni krerët e institucionit për këtë vendimmarrje radikale dhe janë në pritje të një përgjigjeje konkrete. 

 

Sipas burimeve brenda gjykatës, drejtuesit u kanë komunikuar atyre se një qëndrim zyrtar dhe një informacion më i detajuar rreth fatit të pagave të tyre do të merret vetëm pas mbledhjes urgjente të kryetarëve të të gjitha gjykatave të vendit, e cila është parashikuar të mbahet sot në orën 15:00 në ambientet e Gjykatës së Lartë. 

 

Lidhur me këtë situatë kaotike, gazetari Besmir Pula, ka raportuar për MCN Live se situata alarmante ka vënë në lëvizje edhe kupolën e organit të akuzës, ku Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka thirrur në një takim emergjent drejtuesit e prokurorive të rretheve dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, takim ku të pranishëm janë edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

 

Ka nisur bojkoti i parë i gjykatës, ku është pikërisht administrata e gjykatës civile ajo e cila ka bojkotuar mëngjesin e sotëm punën, dhe pretendimi kryesor i tyre është fakti që janë bllokuar dhe nuk kanë marrë ende pagat e muajit gusht, në një kohë kur për magjistratët ka pasur reagime të djeshme dhe të sotme, siç konfirmojnë edhe burimet për MCN se tashmë ka nisur një mbledhje në prokurori nga Olsian Çela, ndërsa nga ana tjetër drejtuesit e gjykatës kanë komunikuar se pas mbledhjes së tyre të përbashkët do të dalin me një qëndrim zyrtar. 

 

Më tej, gazetari Pula ka hedhur dritë mbi zanafillën e këtij ngërçi institucional që lidhet me ndryshimet ligjore dhe vendimet e fundit të organeve të qeverisjes së drejtësisë. 

 

Pretendimi i bllokimit të punës nga punonjësit lidhet me moskalimin e pagave dhe me kërkesat e vazhdueshme për rritjen e pagave që ata kanë bërë, teksa administrata kërkon një zgjidhje imediate për situatën e tyre, e cila u rëndua nga ngërçi për magjistratët, prokurorët dhe gjyqtarët që përfituan atë rritje page ku Kuvendi nuk miratoi formulën e re, dhe pas këtij kalimi të afatit, KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të përcaktonin vetë pagën referuese, ndaj mbetet për t'u parë se sa do të zgjasë ky bojkot. 

 

Deri në përfundim të mbledhjeve të pasdites në Gjykatën e Lartë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, dyert e gjykatave më të mëdha në vend do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura për shërbimet e zakonshme, duke krijuar kaos në radhët e qytetarëve dhe avokatëve.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy