Avokati Idajet Beqiri, për arrestimin e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi për privatizimin e kompleksit “Partizani” dhe urdhrin e ndalimit për të dalë nga vendi të ish-Kryeministrit dhe masën kufizuese “detyrim paraqitje”, përgëzon prokurorinë e posaçme SPAK dhe e cilëson si një lajm shumë të mirë.
Nga studio e MCN Live, ai tha se shigjetimi nga drejtësia për ish-Kryeministrin, tregon se miti i pandëshkueshërisë tani ka rënë.
Fakti që në një operacion të tillë ku brenda është edhe ai që ka qenë Supermani i komandimit të këtij vendi dhe i menaxhimit si i donte qejfi të drejtësisë dhe gjykatave dhe kur vjen puna merret ndaj dhëndrit të tij masa më ekstreme e sigurimit “arrest me burg” dhe ai nuk arriti dot ta parandalonte një gjë të tillë dhe ta merrte si informacion.
Dhe te Policia e Shtetit dhe gjykata po ngulitet koncepti se me institucionet e shtetit nuk mund të luash më si ke bërë më parë. Berisha e pati një lloj nuhatje për këtë që do ndodhte.
Ditën që bllokoi foltoren në parlament dhe tha se do ketë mosbindje civile, diçka kishte marrë vesh.
Nuk e dinte që ishte marrë vendimi, por do i kishte gjetur rrugën edhe dhëndrit që ta çonte ku duhej, mos ta zinin, por sinjalin e dha se e nuhati. A ka të tjerë në këtë mes?
Duhet të jemi shumë optimistë se këtë foshnjë që e lindëm si reformë në drejtësi qoftë SPAK dhe Gjykatën e Posaçme e mendoj si një fëmijë që sapo është ngritur në këmbë, nuk i ka hapat e sigurt që po hedh, por u ngrit në këmbë.
E konsideroj si fillimin e ri të një shteti ligjor që duam të ndërtojmë në Shqipëri. Steka ishte jashtëzakonisht ulët, në raport me ku u drejtua steka këtë radhë, por aferat më të rënda nga kanë vuajtur shqiptarët, kanë si protagonist Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Duke drejtuar stekën te Berisha, miti i pandëshkueshërisë tani ka rënë. Kur akuzohet ky për korrupsion pasiv, dhe arrestohet dhëndri i tij dhe akuzohet dhe për pastrim të produkteve nga një krim dhe vendosen sekuestro në këtë familje për një numër i konsiderueshëm pasurish dhe llogarish bankare, ky është lajm i ogurmirë për institucionet tona. Nuk janë vetëm këta.
Nëse do ngrihen akuza vetëm për Fatmir Bektashin, Jamarbër Malltezin dhe Sali Berishën dhe vetëm këta do shkojnë në gjyq, shqiptarët duhet të shqetësohen rëndë, pasi bëhet për sy e faqe.
Por nuk është kështu, se është i përfshirë ministri i Financave i kohës, ministri i Mbrojtjes i kohës, shefi i Shtabit, Xhemal Gjunkshi, drejtorë të Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe drejtorë arkivi, madje dhe ish-gjyqtarë që janë pleksur.
Kjo pasuri që u tjetërsua, shqiptarët nëpërmjet arkivit të shtetit, e dinë që aty ka qenë aeroport, në vitin 1945 u bë klub sportiv, ishin dy ekipe ushtarake, më vonë e mori emrin Partizani.
Që të ndërtonte Italia aeroport, do bëje shpronësime. Italianët në vitin 1940 e kanë paguar sa frëngu pulën atë truall ku u ndërtua aeroporti.
Në arkiv është dokumentuar se e blenë italianët. SPAK i ka gjetur të gjitha llojet e faturave në Arkivin e Shtetit, për të gjitha pasuritë e dëmshpërblyera nga italianët, por vetëm faturat e aeroportit dhe këto që kanë të bëjnë me këtë aferë korruptive nuk gjenden.
Do ketë përgjegjës edhe të kësaj kategorie në këtë proces hetimor.
Beqiri tha se lejen e ndërtimin dhe privatizimin korruptiv për kompleksin “Partizani” e ka dhënë Lulzim Basha në vitin 2012.
Avokati mohoi që të merret me forcë Sali Berisha dhe se nëse nuk paraqitet në Prokurori, për masën detyrim paraqitje, atëherë ndryshon masa dhe futet në burg.
Ndër të tjera shtoi se me këtë praktikë të SPAK, ka shkuar te thelbi i ligjit, pasi krijon precedentë dhe zbatohet jo vetëm për kompleksin “Partizani”, por edhe te “inceneratorët” dhe kudo dhe se nuk mund të fshihen më.



