Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, thotë se koncepti se dhënia e të drejtave LGBT përcillet si deformim i familjes, ngre rryma populiste. Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, ai u shpreh se me deklarimet rreth “prindi 1 dhe prindi 2”, largohet vëmendja nga problemet reale që ka familja. Sipas tij, çështja e të shprehurit duhet marrë shumë seriozisht, pasi për shkak të këtyre shprehjeve kalohet dhe në konfrontim fizik. “Nuk besoj se jemi një shoqëri që i kemi raportet e mira me të vërtetën. E shoh të zbehtë dhe dobët të vërtetën në Shqipëri dhe në këtë kaos të madh, minorancat janë ato që cenohet më shumë. Personat me aftësi të kufizuara janë të stigmatizuar, për shkak të përdorimit të një etiketimi aftësie të kufizuar si gjuhë urrejtje. Neve na rezulton se janë shumë të diskriminuar, se minimalisht nuk lëvizin lirshëm”. Sa i takon familjes, Gajda tha se familja identifikohet me martesën që ka një sfond kulturor dhe është parë gjithmonë në një mënyrë të caktuar. Ai shtoi se gjëja që kemi të palëvizur dhe sot është që familja vendoset mbi baza dashurie. “Kushtetuta e Shqipërisë thotë se kushdo ka të drejtë të ketë familje, pa specifikime të tjera. Çështjet e tjera ia lë ligjit. Kushtetutbërësi ka pasur ndërmend që e drejta për të pasur familje duhet të jetë për çdo njeri dhe është ligji që e rregullon dhe thotë se martesa është bashkimi mes një burri dhe një gruaje. Ndërkohë që ligji jonë parashikon dhe bashkëjetesën që është një institucion shumë i ri, rreth 20 vite dhe e vendos në kushtet e një burri dhe një gruaje. Por de fakto në Shqipëri ka persona të të njëjtës gjini që bashkëjetojnë. Në Shqipëri, sa i takon bashkëjetesës kufizimet gjinore duhet të hiqen. E kuptoj kur vjen fjala te martesa. Por nuk kuptoj çfarë sfondi kulturor ka bashkëjetesa, e cila vetëm 20 vite ka që ka hyrë. Pse nuk duhet t’u njihet këtyre personave e drejta, ku është problemi?”



