
Gjatë pjesëmarrëjes në në takimin e liderëve rajonalë, i cili u mbajt në Shkup, në kuadër të procesit të “Bërdo-Brione”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij ka thënë se ky Samit dërgon mesazh te të gjithë se rajoni ynë ka ndryshuar dhe se është shembull i zhvillimeve pozitive, duke përmendur organizimin e shumë takimeve rajonale në këta muajt e fundit.
“Të gjitha këto takime kanë bërë të qartë për të gjithë që sot, vendet e Ballkanit, komunikojnë, bisedojnë, dialogojnë, me njëra-tjetrën si mjet për të zgjedhur çështjet e hapura që kemi. Por edhe si mjet për të artikuluar qartë aspiratat tona për të ardhmen tonë”, ka theksuar ai.
Kreu i shtetit ka thënë se të gjithë e kanë mirëpritur Strategjinë e Komisionit Evropian, e cila 15 vite pas Samitit të Selanikut, përsëri ri-konfirmon qartë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë derën e hapur për t’u anëtarësuar në BE.
“Samiti i Sofjes, i BE-së dhe Ballkani Perëndimor, ka karakter historik dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë ne” ka theksuar ai.
Kreu i shtetit të Kosovës ka shtuar se nga ky samit duhet të nxjerrim maksimumin e mundshëm, si në çështjet që ndërlidhen me përmirësimin e infrastrukturës, energjisë, ndërlidhshmërisë, digjitalizimit, bashkëpunimit të të rinjve, në arsim, etj.
Sipas tij, nëse ne dhe BE vonohemi, atëherë të tjerë të cilët nuk kanë agjenda pozitive për rajonin, do të shtojnë ndikimin në rajonin tonë.
Presidenti Thaçi ka theksuar se në Kosovë jemi të përkushtuar që t’i kryejmë detyrat tona, duke përmendur demarkacionin me Malin e Zi dhe sipas tij kryesorja e kësaj marrëveshjeje është se gjithçka që është arritur pa ndërmjetësim e ndonjë pale të tretë.



