Avokati Romeo Kara, në emisionin MCN Live, ka folur gjerësisht për protestën kundër projektit të Zvërnecit dhe për hetimet që lidhen me tjetërsimin e pronave, duke artikuluar qëndrime të forta ndaj politikës dhe sistemit të drejtësisë.
Ai theksoi se protestat qytetare duhet të mbeten të pavarura nga partitë politike dhe të ruajnë karakterin e tyre fillestar. Kara kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, diskursi publik është deformuar nga interesa politike dhe anonimiteti në rrjetet sociale.
Nëse keni pyetje specifike për protestën, unë e gjej veten, e kam kërkuar prej kaq vitesh. Ka pasur nuanca revolte përballë krimit dhe korrupsionit. Këta persona që flasin në rrjete sociale janë pa fytyrë, pa emër, pa numër, që sulmojnë të njëjtin korrupsion që kemi luftuar.
Ai shtoi se situata politike në vend ka pësuar ndryshime të thella ndër vite dhe se problemi i korrupsionit mbetet i pandryshuar. Sipas tij, protestat e vazhdueshme mund të sjellin ndryshim shoqëror dhe politik nëse ruajnë qëndrueshmërinë.
Në 2014 e mbrapa situata ka ndryshuar. Unë godas dukurinë pavarësisht ngjyrës politike. Ka një demagogji të madhe. Liderët politikë përdorin parulla dhe justifikime, ndërsa shumë prej tyre janë vetë të zhytur në korrupsion.
Kjo protestë nuk duhet të kapet nga partitë politike. Ajo ka boshtin e saj: as me Ramën, as me Berishën. Është pasaporta më e madhe evropiane, ku ata qytetarë kanë vrarë frikën dhe kanë dalë të protestojnë, madje mendoj se dhe policët duhet të dalin të protestojnë.
Kjo është protesta më e bukur, rizgjimi i vetëdijes popullore. Nëse qëndrohet me durim aktiv dhe këmbëngulje, mund të arrihet ndryshim.
Në fund, Kara ngriti shqetësime edhe për sistemin e tenderave dhe korrupsionin institucional.
“Pabarazia në tendera është korrupsion dhe nuk ka të tillë pa shpërdorim detyre”, u shpreh ai, duke kërkuar më shumë transparencë në administratë dhe institucione.



