Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, përmes një lidhje për MCN, deklaron se sistemi i drejtësisë është në kolaps dhe se gjyqet po zvarriten për vite me radhë. Ai thekson se për herë të parë ky dështim po pranohet publikisht edhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë, njëherazi hartues i Reformës në Drejtësi.
Duke iu referuar analizës së bërë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Muçi thekson se për herë të parë po pranohet publikisht dështimi i sistemit, dhe kjo vjen pikërisht nga një prej hartuesve të Reformës në Drejtësi.
Sipas Muçit, dëmi i shkaktuar është aq i madh sa do të nevojiten dhjetëra vite për ta rikuperuar, ndërsa mungon një projekt i qartë për zgjidhje. Ai shton se Reforma Territoriale e ka bllokuar totalisht sistemin gjyqësor, duke agravuar edhe më tej situatën, pasi gjyqet jo vetëm zvarriten për vite me radhë, por janë bërë të vështira për t’u ndjekur nga qytetarët.
“Sistemi i drejtësisë është në kolaps dhe gjyqet ecin shumë ngadalë. E re sot është që po pranohet publikisht që sistemi është në kolaps dhe po pranohet nga vetë kryetari i Gjykatës së Lartë. Tjetra është që po e pranon një nga hartuesit e Reformës në Drejtësi. Dëmi që është bërë sistemit është aq i madh sa që duhen dhjetëra vite dhe ndaj është e vështirë të gjendet një projekt.
Reforma Territoriale e bllokoi totalisht sistemin e drejtësisë. Kjo tentativë për të gjetur një zgjidhje e agravoi më tej situatën. Tani përvec faktit që gjyqi do të zvarritej për vite me radhë, e ka vështirësuar procesin gjyqësorë pasi qytetarët e kanë të pamundur ti ndjekin.
Aksesi në drejtësi është bërë pothuajse i pamundur tashmë për qytetarët.”



