
Ministri Manja ka firmosur kërkesën për ndihmë juridike dhe përcjelljen e dokumentacionit me postë diplomatike të kërkesave për ekstradimin e 4 shtetasve në Britaninë e Madhe, për të cilët Gjykata ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për 40 ditë për përfshirjen në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Lezhë.
Lajmin e dha për MCN Live gazetari Arsen Rusta.
Është firma e dytë e Manjës për këtë procedurë. Gjatë fundjavës është firmosur kërkesa për Interpolin për t’i shpallur në mënyrë të përshpejtuar në kërkim, gjë që ka sjellë dhe arrestimin e Edmond Haxhiajt, i dyshuar si kreu i piramidës së vrasjes i cili porositi, financoi dhe ideo vrasjen për gjakmarrje.
Në Britaninë e Madhe janë arrestuar Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Steven Hant dhe Harriet Bridgeman.
Nga ana tjetër, Rusta bën me dije se Edmond Haxhia ka nisur procedurat për të ankimuar arrestimin dhe kërkesën për ekstradim me pretendimin se mund t’i rrezikohet jeta për shkak të gjakmarrjes.
Kjo kërkesë për ndihmë juridike ka afat 48 orë për të mbërritur në Britaninë e Madhe. Ajo pritet të mbërrijë pasditen e sotme pasi është kërkesë e rëndësishme. Ky material mban vendimin e gjykatës, prova, fortografi, me deklarime të shtetasve, është dosje voluminoze për të bindur gjykatës, Në momentin e parë ka qenë vetëm urdhri ndërkombëtar që është cilësuar pjesërisht i mjaftueshëm për të vendosur masën “arrest me burg”.
Vrasësi Ruben Saraiva dhe vëzhguesi që ndoqi 11 ditë lëvizjet e Nikulaj, Thomas Simpson janë ende në kërkim.



