Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për të miratuar propozimin francez, duke i hapur rrugë nisjes së procesit të negociatave për RMV dhe Shqipërinë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se PD përgëzon parlamentin e vendit fqinj për vendimin e guximshëm dhe historik që mori sot.
Më tej ish-kryeministri shkruan se PD e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE.
Lidhur me votimin e propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut! Të dashur miq, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Francës që i hap rrugën çeljes se negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Me këtë rast Partia Demokratike e Shqipërisë përgëzon Parlamentin e vendit fqinj, dhe përshëndet vendimin e guximshëm dhe historik që mori sot, me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet tona. Hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE, të bllokuara prej 6 vitesh, dhe pasi ato u shtynë 5 herë, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveria Rama, dhe vitin e fundit për shkak të bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e kundërshtive midis këtyre vendeve, Partia Demokratike e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE. Me këtë rast PD garanton shqiptarët dhe BE, Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE, se do mbështesë, dhe, nesër në pushtet, do të marrë e miratojë çdo ligj, akt e vendim për plotësimin, kapitull për kapitull, e kërkesave të negociatave me BE, dhe për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Po ashtu presidenti Ilir Meta ka përshëndetur votimin nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut dhe ka përgëzuar faktorin politik shqiptar, që gjithmonë mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Përshëndes votimin pro-formulës Makron nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, që çel rrugën e negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme për të dy vendet tona.
Përgëzoj faktorin politik shqiptar, që gjithmonë mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Vendimi i Këshillit Europian që do të merret pas disa ditësh duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse.



