Aktivisti Andi Tepelena foli mbi protestën që do të zhvillohet sot në orën 17:00 para Kryeministrisë. Tepelena deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se do të jetë një protestë pa fjalime e mikrofona, ku do të jepet mesazhi simbolik për demokratizimin e tubimit.
Nuk do ketë fjalime me mikrofona. Do ketë megafonë që do i mbajnë aktivistët. Do jepet mesazh simbolik për demokratizimin e protestës. Protesta nuk ka pasur regji qendrore. Meqë ka pasur kërkesa që të mos ketë mikrofon ne do ta bëjmë të tillë. Sot do ketë thirrje, brohoritje, pankarta”.
Duke u ndalur te simbolikën e instalacionit të kuajve të zinj në shkallët e Kryeministrisë, Tepelena tha:
Në kohë krizash gjithmonë kryeministri përdor një spektakël politik për të devijuar vëmendjen nga problemet e vendit. Këtu mungon një kalë që paralajmëron apokalipsin. Por ai kali i katërt nuk do të arrijë. Edhe pse parametrat ekonomikë janë dëshpërues.
Aktivisti shtoi se thirrjet për protestë janë për të gjithë qytetarët, të majtë, të djathtë dhe me apo pa bindje politike.
Jemi me sytë nga qielli që të ngrihen kaskadat e Komanit dhe Fierzës sepse kanë keqmenaxhuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Thirrjet tona kanë qenë për të gjithë qytetarët, me apo pa bindje politike, të majtë e të djathtë, sepse është një krizë që prek xhepin e qytetarëve. Edhe pse pati një deklaratë të papërgjegjshme për protestën, shpresoj të jetë emocionale dhe shpresoj të mos jetë direktivë e partisë”.



