
Prokurori argjentinas Ramiro Gozalez akuzon ish-presidentin Alberto Fernandez për “lëndime të lehta dhe të rënda, shpërdorim të pushtetit dhe kërcënime”, pas ankesës së ish-partneres së tij Fabiola Yanez.
Fillimisht politikani ishte akuzuar vetëm për veprën e plagosjes së lehtë në disa raste, por, pas dëshmisë së ish-zonjës së parë, u konstatua se krimet për të cilat ai duhet të përgjigjet janë gjithashtu “lëndime të rënda të cilësuara dyfish nga lidhja familjare dhe të ushtruar në kuadër të dhunës gjinore me shpërdorim të pushtetit dhe autoritetit”.
Javën e kaluar, ish-zonja e parë Fabiola Yanez, 43 vjeç, paraqiti një ankesë duke akuzuar ish-presidentin 65-vjeçar se e kishte rrahur atë gjatë marrëdhënies së tyre, e cila përfundoi pasi ai u largua nga detyra në 2023.
Në dëshminë e dhënë nga Spanja, ajo përshkroi se si dyshohet se kishte pësuar kërcënime psikologjike dhe agresion fizik dhe e akuzoi Fernandez se e detyroi të bënte një abort.
Ai i mohon të gjitha akuzat, ndërsa i ndalohet largimi nga vendi gjatë kohës që zhvillohen hetimet.
Fernandez shërbeu si president midis 2019-2023. Hetimi vjen pas fotografive që shfaqnin Yanez me sy të zi dhe mavijosje u zbuluan dhe u publikuan nga mediat lokale, duke shkaktuar indinjatë në Argjentinë.
Fernandez i hedh poshtë akuzat kundër tij si të pabaza. Në një intervistë të publikuar në fillim të kësaj jave, ai pretendoi se syri i zi i zonjës Yanez ishte rezultat i një trajtimi kozmetik.



