Kosova dhe Serbia u ulën sot sërish në tryezën e bisedimeve në Bruksel, në praninë e emisarit special, Miroslav Lajçak. Negociatat në nivel ekspertësh janë përqendruar në pretendimet e përbashkëta financiare dhe ato mbi pronën. Në tryezën e bisedimeve janë ulur Skënder Hyseni për palën kosovare dhe Marko Gjuriç për Serbinë. Siç raporton vetë Lajçak në Tuiter, diskutimet kanë konfirmuar kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e çështjes në diskutim, e cila do të vijojë.
Ndërsa sipas përfaqësuesit të Serbisë, Marko Gjuriç, pala serbe ka insistuar që asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë “temë e parë”, gjë të cilën e ka kundërshtuar pala kosovare. Gjuriç ka thënë për mediat serbe se “delegacioni i Kosovës në takim ka ardhur i papërgatitur”.
“Ne sollëm ekspertë, dhe ata u kthyen 13 shekuj pas! Ka qenë plot tensione”, citohet ai nga “Veçenje Novosti”.
Pala serbe ngul këmbë te asociacioni i komunave me shumicë serbe, temë të cilën kryeministri Hoti e përjashtoi ndërsa raportonte në Kuvend në lidhje me ecurinë e dialogut, pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.
“Nuk ka progres në bisedime deri në zbatimin e plotë të Asociacionit, ashtu si jemi marrë vesh me 2013 dhe 2015”, ka thënë Gjuriç.



