
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, viziton sot Prishtinën. Vizita vjen pak kohë pasi Kuvendi i Kosovës e shtyu shqyrtimin dhe votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për shkak të mungesës së dakordësisë mes palëve politike.
Opozita e ka kundërshuar fuqishëm këtë marrëveshje, e cila sipas saj i heq territor Kosovës dhe ia jep Malit të Zi. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se me kryeministrin malazez, Markoviç, do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura që ekzistojnë midis dy vendeve.
Marrëveshjae demarkacionit është e tillë. Ajo është nënshkruar në vitin 2015 dhe është ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo nga ai i Kosovës.



