Pas një operacioni të koordinuar ndërmjet Policisë së Shtetit dhe tri agjencive federale amerikane (DSS, USMS dhe ICE), është vënë në pranga në Nju-Jork të SHBA-së i shumëkërkuari shqiptar Valentin Ftoni, 52 vjeç.
Ky shtetas rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001, i dënuar dy herë me nga 25 vjet burg për vrasjen e 3 personave në Shkodër.
Nga hetimet dyshohet se, pas largimit nga Shqipëria, Valentin Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në territorin e SHBA-së. Gjithashtu, dyshohet se në këtë shtet ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.
Më datë 28.09.2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka deklaruar fajtor shtetasin Valentin Ftoni dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 19.09.2000, në Ças, Velipojë, ka vrarë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje.
Gjithashtu, më datë 18.11.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka deklaruar fajtor shtetasin Valentin Ftoni dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 12.08.2001 ka vrarë shtetasin G. T.
Policia e Shtetit vijon punën intensive, në koordinim me agjencitë ligjzbatuese amerikane, për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, me qëllim përballjen me drejtësinë shqiptare për veprat penale për të cilat është dënuar.




