
Një mot me alternime vranësirash dhe kthjellimesh do të na shoqërojë gjatë javës që sapo ka nisur, sipas parashikimit të IGJEUM.
Meteorologia Anira Gjoni tha për “MCN Live” se gjatë javës do të ketë reshje të herëpashershme shiu, kryesisht të hënën dhe të martën, ndërsa reshjet do të rikthehen më intensivisht nga mbrëmja e së enjtes.
E hëna ka nisur me vranësira në të gjithë territorin dhe në shumë qarqe kanë filluar reshjet e shiut, të cilat do të jenë prezente gjatë dy ditëve të para të javës. Parashikohet prani e shiut dhe dëborës.
Në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet do të jenë mesatare dhe lokalisht intensive, më të përqendruara sot dhe nesër.
Në zonat malore mbi 600 metra mbi nivelin e detit, reshjet pritet të jenë në formë dëbore.
Sa i përket temperaturave, ato do të luhaten rreth të njëjtave vlera, me një rënie të lehtë:
Në zonat bregdetare, temperaturat minimale do të zbresin në 9°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 10°C.
Në zonat e ulëta, minimalet pritet të jenë rreth 6°C dhe maksimalet deri në 9°C.
Në zonat malore, temperaturat minimale do të zbresin deri në -1°C, ndërsa maksimalet do të shkojnë deri në 4°C.
E mërkura do të sjellë ndërprerje të reshjeve dhe kthjellime të përkohshme, ndërsa nga dita e enjte dhe gjatë së premtes pritet rikthim i reshjeve me intensitet mesatar deri në të lartë, veçanërisht në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Shkodrës.



