Paketa fiskale, taksat që ndryshojnë në vitin 2018

Paketa fiskale, taksat që ndryshojnë në vitin 2018

Paketa fiskale 2018 tashmë ka shkuar në variantin përfundimtar në parlamentin shqiptar për të marrë “bekimin” e deptutëve.  Por cilat janë pikat më të rëndësishme  që do të prekin qytetarët dhe biznesin gjatë vitit të ardhshëm dhe efektet që do të kenë ato në buxhet. E para është taksa mbi ndërtesat, e cila pas një sërë sugjerimesh është caktuar të aplikohet në nivelin 0.05 për qind të vlerës së pronës për banesat dhe 0.2 për qind për bizneset. Më pas vijnë në radhë ndryshimet e tjera, të cilat sipas rastit shoqërohen me efekte pozitive ose negative te kategoritë që preken drejtëpërdrejt ose tërthorazi.

Ndërtesat sipas modelit të FMN-së

Në Paketën Fiskale të vitit 2018, qeveria ka caktuar se shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon dhe 0.2% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike.  Qeveria përfshin në këtë taksë edhe ndërtuesit që nuk respektojnë afatet për lejen e ndërtimit. Sipas përcaktimit në draft kjo kategori do të paguajë 30 % të shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi. Nga kjo taksë përjashtohen 90 mijë familje (pensionsitët e familje në nevojë) edhe hotelet me 5 yje që kanë status special.  Efekti në buxhet është llogaritur në plus 2.4 miliardë lekë.

Zerohet tatim-fitimi në Turizëm

Hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë tatimfitim për një periudhë 10-vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Është kjo një nga nxitjet më të mëdha fiskale që qeveria ka vendosur që t’i japë investitorëve të ardhshëm në turizëm. Turizmi pa taksa, por vetëm për ata që s’kanë ardhur ende  “Përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special. Parashikimi është bërë me qëllim dhënien e incentivës në momentin e fillimit të aktivitetit ekonomik, atëherë kur ky aktivitet realizon fitim” përcaktohet në draft ligjin e kaluar në qeveri. Sakaq për të gjithë ata që ushtojnë aktivitet në prodhim dhe zhvillim të softëearve tatimfitimi do të jetë 5%. Efekti negativ në buxhet llogaritet 93 milionë lekë.

TVSH e biznesit

Ligji “Për tatimin mbi Vlerën e Shtuar” ka pësuar ndryshime në paketën 2018 ku propozohet së pari vendosja e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnzimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Aktualisht ky nivel TVSH-je ofrohet vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend. Por trajtimi i diferencuar do të bëhet vetëm për ata me status special që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH. Drafti gjithashtu i hap rrugë ndryshimit që do të bëhet për futjen në regjim TVSH-je e biznesit të vogël me një prag 2 milionë lekë qarkullim. Qeveria nuk ka përcaktuar prag në këtë rast por ka bërë ndryshimet që i hapin rrugë procesit. Kjo masë pritet të ketë një efekt 1.5 miliardë lekë në buxhet.

Makinat e modifikuara të luksit

Në draft ligjin “Për taksat kombëtare” që kaloi në qeveri bëhet një ndryshim te neni për taksimin e makinave të luksit. Që të taksohet një automjet për këtë arsye duhet të përmbushë një nga dy kriteret: ose të ketë cilindratën e barabartë/ mbi 3000 cm³ ose të ketë vlerën, çmimin të barabartë/ mbi 5 milionë lekë. Sipas DPTSHRR, janë rreth 909 autovetura të regjistruara aktualisht me kapacitet 6+1, të cilat u janë nënshtruar modifikimeve për arsye të shmangies së kësaj takse. Efekti negativ në buxhetin e shtetit është 19.000.000 lekë nga mostaksimi i këtyre automjeteve, të cilat duhet të konsiderohen makina luksi. Për këtë qëllim propozohet me anë të këtij ligji, rritja e kapacitetit të vendeve nga 4+1 në 6+1.

Taksa e infrastrukturës

I njëjti draft i ligjit “Për taksat vendore” çon më tek lehtësimin e nisur nga qeveria për hotelet me 5 yje. Për të gjithë ata që kanë statusin special taksa e infrastrukturës do të jetë zero ndërkohe që normalisht për këtë kategori ndërtimi në Bashkinë e Tiranës ajo aplikohet në 4% të vlerës totale të projektit ndërsa në bashkitë e tjera nga 1-3%. (Hotelet me 5 yje pa taksa fare, tani u hiqet edhe ajo për ndërtesën, mjaft të “bekohen” me status special)

Përjashtimet doganore

Përveç një shkalle të reduktuar për tatim-fitimin, qeveria ka vendosur që të zerojë tarifën doganore për importin e mbi 60 produkteve me kode të veçanta doganore që i përkasin fushës së teknologjisë dhe inovacionit. Në listën e produkteve hyjnë, mes të tjerave, pllaka për filmat kinematografikë, kasat, makina që kryejnë më shumë se dy funksione printimi, kopjimi, transmetim fakti, anijet e hapësirës (përfshi satelitët) dhe mjetet që lëshojnë anije në hapësirë dhe mjetet suborbitale, si dhe aeroplanët për stërvitje mësimore tokë dhe pjesët e tyre.

Duhani, çmimet do rriten

Në draftin e projektligjit “Për akcizat”  është menduar që të ketë rritje të nivelit të taksës që aplikohet për një kategori të veçantë cigaresh të njohur si cigarillo. Këto të fundit janë cigare të mbështjella me duhan apo të njohura rëndom si “puro” dhe që do të taksohen më shtrenjtë në vitin 2018. Konkretisht, drafti parashikon rishikimin e nivelit të akcizës së cigareve, nga 5750 lekë/1000 copë që ishte parashikuar në kalendar, në 5850 lekë/1000 copë. Efekti pozitiv në buxhet llogaritet 1 miliardë lekë.

Akciza për pijet energjike

Propozimin në Kuvend e ka dorëzuar në 27 nentodeputeti Ervin Bushati, i cili ka propozuar që të shfuqizohen disa nene nga ligji për akcizat dhe konkretisht ajo që lidhet me pijet energjike. “Kreu IX/1 “Pijet energjike” dhe nenet 77/1 “Përkufizime” dhe 77/2 “Detyrimet” shfuqizohen. Ky ndryshim reflektohet edhe në shtojcën nr.1 që I bashkëlidhet ligjit duke hequr emërtimin dhe nivelet treguese të akcizës për pijet energjike” thuhet në propozimin e bërë nga deputeti socialist Ervin Bushati dhe që ka kaluar miratimin në Komisionin e Ekonomisë ku deputetët e Partisë Demokratike refuzuan të merrnin pjesë. Qeveria e majtë e vendosi këtë taksë në vitin 2014 duke taksuar çdo litër pije energjike 50 leke dhe me pas u ul ne 30 lekë. Efekti negativ në buxhet llogaritet 280 milionë lekë.

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy