Kryeministri Edi Rama, të premten ka mbajtur fjalimin e parë në Asamblenë e 76-të të Kombeve të Bashkuara në New York, ku në fokus pati situatën e krijuar nga Covid-19, Ballkanin e Hapur, ndryshimin e klimës, dialogu Kosovë-Serbi dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Teksa tregoi rastin e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që udhëtuan drejt Italisë për t’u ardhur në ndihmë kolegëve të tyre, Rama falenderoi vendet përkrahëse të Shqipërisë në luftën ndaj Covid-19.
“Si në çdo pjesë tjetër të botës edhe Shqipëria ka vuajtur nga plaga e Covid-19. Sot kemi më shumë se gjysmën e popullsisë të vaksinuar dhe presim të kemi të gjithë popullsinë të vaksinuar në 10 muajt e ardhshëm.
Një nga mësimet është që askush nuk mund të përballet e vetme në këtë luftë. Kjo është arsyeja pse në kulmin e krizës së Covid-it dhjetëra mjekë dhe infermierë shqiptarë ikën për në Itali për të ndihmuar kolegët e tyre në rajonin e Lombardisë. Në këmbim patëm fatin të prisnim mjekët italianë të na ndihmonin në të njëjtën luftë në shtëpinë tonë. I detyrohem një falënderim nga zemra atyre që na u gjendën të na ndihmojnë, Turqinë, Komisionin e Bashkimit Evropian, Italinë, Greqinë, Letoninë, Danimarkën. ”
Në lidhje me Ballkanin e Hapur, Rama tha në asamblenë e Kombeve të Bashkuara se kjo nismë do të sigurojë katër liritë si në BE.
"Të 6 vende e Ballkanit Perëndimor që kanë rënë dakord për një treg të përbashkët rajonal. Do sigurohen katër liritë si në BE. Ballkani i Hapur është shenja dhe prova e procesit si rajon për të rritur tregtinë dhe investimin. Ta bëjë paqen të pakthyeshme dhe të ndihmojë në konflikte një herë e përgjithmonë.”
Rama foli gjithashtu dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa vuri theksin se vendi jonë është duke pritur me padurim konferencën e parë ndërqeveritare për të çelur negociatat.
“Ne ndajmë shqetësimet e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në raportin e tij për agjendën e përbashkët dhe të gjitha shtetet anëtare të OKB-së kanë përgjegjësinë për të rritur kontributin e tyre për të bërë një dallim të prekshëm në jetën e njerëzve.
Këshilli ministrial i Tiranës ra dakord për të luftuar korrupsionin, krimin dhe torturën e OSBE-së. Ndryshimi i klimës është një përparësi e agjendës tonë kombëtare. Nuk na duhet përmbytje apo valë nxehtësie. Të bindur për urgjencën për uljen e çlirimit të gazeve serë, në përputhje me marrëveshjen e Parisit ne ishim vendi i parë me plane konkrete për të ulur efektet e gazit serë.
Shqipëria si një prodhuese e energjisë së pastër neto angazhohet për ulur çlirimin e këtyre gazeve në vitet e ardhshme. Ne presim me padurim në konferencën e parë ndërqeveritare për të çelur negociatat me anëtarësimin. E dua ta përsëris Shqipëria ka kohë që është gati ajo pret që be të bëjë pjesën e saj. Integrimi evropian është një objektiv.”
Kryeministri Rama i bëri thirrje OKB-së për pjesëmarrjen e Kosovës në asamble, teksa theksoi se sado e madhe të jetë, ajo asamble nuk do të jetë e plotë pa Republikën e Kosovës.
Rama theksoi se dialogu Kosovë-Serbi është tejet i rëndësishëm, pasi do të sjellë më shumë paqe në rajon.
“Të nderuar kolegë historia e OKB-së është historia e zgjerimit të pandërprerë e cila nisi me 50 anëtarë në San Francisko dhe jemi tani 193 të tillë. Por, sado e madhe të jetë kjo asamble, ajo nuk është e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë Republikën e Kosovës. Më keni dëgjuar të bëj thirrje për njohjen e Kosovës, është ftesë për të njohur realitetet e reja nuk është fiksim.
Kujtdo që do ta shohë se një Kosovë e pavarur dhe sovrane është një realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe ka sjellë më shumë paqe në rajon. Shqipëria mbetet si alternativë të vetme dialogun Kosovë-Serbi që do të sjellë njohjen e ndërsjellët mes dy shteteve. Them miqësisht, por me bindje se vetëm maturia do të lejojë Serbinë të heq barrën e së shkuarës."
“Në këtë jetë ka një kohë kur merr, e një kohë kur jep", përfundoi Rama në fjalën e tij në asamblenë e 76-të të Kombeve të Bashkuara, teksa foli mbi ndihmën e Shqipërisë ndaj popullit afgan i cili po gjendet sërish në udhëkryq.
"Tani dua të them dy fjalë për Afganistanin. Është detyra jonë të bëjmë diçka për të mos braktisur popullin afgan, që e gjen veten edhe njëherë në udhëkryq. Ndërkohë që ngjarje dramatike zhvilloheshin para syve tanë, nuk mund të rrinim duarkryq. Bëmë atë që kemi bërë në momente të tjera kritike të historisë sonë, kur shpëtuam mijëra viktima të Holokaustit, apo kur mirëpritëm gjysmë milioni vëllezër e motra kosovarë, që i shpëtonin ferrit të spastrimit serb. Në këtë jetë ka një kohë kur merr, e një kohë kur jep.”
Kujtojmë se Rama që prej të hënës ndodhet në New York në kuadër të Asamblesë së 76-të të Kombeve të Bashkuara, ndërkohë menjëherë pas kthimit në Shqipëri kryeministri dhe një pjesë e kabinetit qeveritar do do të udhëtoje drejt Prishtinës për një vizitë një ditore.



