
Tetë efektivë policie në Rinas janë vënë në prangat e policisë, pasi merrnin deri në 500 euro për udhëtarët që kishin probleme me dokumentacionin.
Gazetari Arsen Rusta raportoi për MCN Live se ndërhyrja në sistemin TIMS dhe lëvizja e personave me probleme në lëvizjen e Bashkimit Europian, ka penalizuar punonjësit e komisariatit të policisë Rinas.
Në telefonin e Enea Sulejmanit, një person i njohur nga policia i cili ishte pjesë e grupit të trafikut të kokainës, me anë të agjencisë turistike që dispononte komunikonte me efektivët e policisë Rinas, për të mundësuar kalimin e të ndaluarve në BE, nëpërmjet aeroportit të Rinasit.
Rol kyç ka pasur Enea Sulejmani i cili bashkëpunonte me efektivin e policisë Briken Tereziu, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Seksionin e Kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajoni Tiranë, pas një hetimi të gjatë të iniciuar nga kjo Agjenci, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal të vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ndaj 8 punonjësve të policisë dhe 1 shtetasi, të dyshuar për “Korrupsion” dhe “Shpërdorim detyre”, ndërsa 8 punonjës të tjerë policie, të dyshuar si të përfshirë në të njëjtin aktivitet kriminal, hetohen në gjendje të lirë, konkretisht me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”:
1. Inspektor Briken Tereziu, 39 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Seksionin e Kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në DVP Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”;
2. Eneo Sulejmanaj, 29 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
Me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”:
3. Inspektor Sokol Xhika, 32 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Seksionin e Kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në DVP Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
4. Inspektor Ermal Mesi, 33 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Seksionin e Kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në DVP Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
5. Inspektor Aris Drini, 30 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Seksionin e Kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në DVP Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Me masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”:
6. Inspektor Ylli Prençi, 27 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Seksionin e Kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në DVP Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
7. Inspektor Rei Shenjtolli., 26 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Seksionin e Kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në DVP Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
8. Inspektor Enkis Aliaj, 33 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Seksionin e Kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në DVP Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
9. Inspektor Argil Hasa, 30 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Seksionin e Kufirit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, në DVP Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Caktimi masave të sigurimit personal ndaj shtetasve të sipërcituar u bë i mundur si rezultat i hetimeve disa mujore të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, nëpërmjet të cilave u siguruan prova dhe fakte për implikimin e shtetave të sipërcituar në veprimtari kriminale.
Konkretisht, për periudhën Mars 2023- Mars 2024, shtetasi Enea Suljemani, pronar i një agjencie turistike, me objekt veprimtarie, ndër të tjera, edhe tregtim të biletave të avionit, mbante kontakte të vazhdueshme me kontrollorët e policisë kufitare në Aeroportin Rinas, të cilëve u dërgonte të dhëna dhe dokumente udhëtimi të personave që nuk u lejohej udhëtimi drejt vendeve të BE-së, konkretisht, persona që ishin kthyer në kategorinë Deportiv e Inad dhe ju ndalohej hyrja në vendet e BE, të mitur të pa pajisur me prokurën e prindërve, apo persona me masa sigurimi personal.
Punonjësit e policisë, rast pas rasti, në varësi të problematikave dhe kundrejt shumave monetare që varionin në vlera të ndryshme, lejonin kalimin e tyre sipas destinacioneve.
Aktualisht vijojnë hetimet për identifikimin e punonjësve dhe shtetasve të tjerë të përfshirë në veprat penale “Korrupsion aktiv dhe pasiv” ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.



