
Një rrjet trafikantësh shqiptarë, të cilët në bashkëpunim me shtetas të huaj trafikonin në mënyrë ilegale qytetarë nga Lindja e Mesme drejt vendeve europiane është zbuluar nga policia. Kjo e fundit ka vënë në pranga 6 shqiptarë, si dhe ka sekuestruar shuma parash, armë zjarri pistoletë, automjete e prova të tjera.
Operacioni “Stafeta” është finalizuar pas një hetimi 8-mujor të koordinuar nga prokuoria dhe policia kriminale. Në pranga janë vënë: A. O., 36 vjeç, M. I., 30 vjeç, A. V., 39 vjeçe, A. B., 20 vjeçe, të katërt banues në Tiranë, si dhe A. P., 21 vjeç dhe M. P., 19 vjeç, të dy banues në Korçë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë 9-mujore kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme në Greqi, Shqipëri deri në përcjelljen e tyre drejt kufirit me Malin e Zi, Kosovën, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal janë dokumentuar rreth 4 raste të trafikimit të personave nga ky grup dhe sipas të dhënave këta persona merrnin nga 100-300 euro për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës.
Shtetasit A. O., A. V. dhe M. I. janë kapur në flagrancë në afërsi të rrethrrotullit të TEG-ut duke transportuar me automjetet 5 emigrantë të paligjshëm nga Maroku.
Gjatë këtij operacioni policor janë mundur të sigurohen prova materiale të përfitimeve të këtyre personave nga kjo veprimtari kriminale, konkretisht: 12 000 euro, 1 milion lekë, një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, 10 aparate celuarë, mandate tërheqjeje shumash monetare nga agjensitë e transfertave të parave, si dhe dy automjete që shërbenin për të transportuar emigrantët.



