
Asetet e krimit nga pasuritë e paluajtshme deri tek llogaritë bankare përfshi e paratë digjitale, do të gjurmohen deri në sekuestro e konfiskim nga “super” struktura e njohur si ZRA.
Emisioni FactCheck zbardh draftin nga ku rezulton se zyra e rekuperimit të aseteve të krimit do të jetë njësi elitë në Policinë e Shtetit.
Asetet e sekuestruara dhe konfiskuara krimit të Organizuar në 90 % të rasteve rikthehen në duart e të njëjtëve persona edhe pse drejtësia e vjetër apo edhe e reja sot vendos tua marrë.
Pak javë më parë nga Vlora Ministri Balla prezantoi edhe projektin për të mos i shitur më ato por si destinacion final të kenë përdorimin për nevoja shtetërore.
I tillë është rasti edhe këtij Hoteli 5 katesh në qytetin e Vlorës, konfiskuar familjes Brahimaj. Ai do të kthehet në një rezidencë pushimi për uniformat blu shqiptare dhe kosovare përgjatë sezonit të verës.
Por kush do ti gjurmojë, kontrollojë, identifikojë e më pas menaxhojë këto asete?
Prej disa ditësh njësia më e re që është propozuar etiketohet ZRA dhe emërtimi i saj është: Zyra e Rikuperimit të Aseteve.
Në këtë projektligj Zyrës së Rikuperimit të Aseteve (ZRA) do të ketë selinë e saj në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si autoritet kombëtar dhe strukturë e posaçme qendrore, e cila është përgjegjëse për procesin e gjurmimit dhe identifikimit të të ardhurave, pasurive ose përfitimeve të tjera pasurore që lindin nga një vepër penale ose veprimtari kriminale, të cilat mund ti nënshtrohen ngrirjes së përkohshme, sekuestrimit ose konfiskimit nga organet kompetente.
Ende nuk dihet nëse ky Institucion i ri në rast miratimi do shkrij së funksionuari Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara apo do të ekzistojnë sërish të dyja.
Në nenin 10 të këtij projektligji pika përtej aseteve fizike, ZRA ka të drejtë të kontrolloj llogaritë bankare të personave subjekt i saj.
ZRA është e autorizuar të ketë akses dhe kërkon e merr informacion nga regjistri kombëtar i centralizuar i llogarive bankare për parandalimin, zbulimin, hetimin ose ndjekjen penale të veprave penale.
ZRA kërkon dhe merr informacion financiar ose analiza financiare nga Njësia e Inteligjencës Financiare.
Zyra e Rikuperimit të Aseteve në fokus të saj prite të ketë edhe komunikimet dhe shkëmbimin informacioneve në kohë reale me partnerët.
Në afatet e kthim përgjigjeve të cilat duhet të bëjë ZRA është futur koncepti kohë reale ku përgjigja duhet të realizohet nga 8 orë në maksimumi 7 ditë për kërkesa jo urgjente.
Afatet për kërkesat 7 ditë nga momenti i marrjes së kërkesës, për kërkesat që nuk janë urgjente;
8 orë nga momenti i marrjes së kërkesës, për kërkesat urgjente të lidhura me kategori të tillë informacioni për të cilat ZRA ka akses të menjëhershëm dhe direkt.
72 orë nga marrja e kërkesës nëse ZRA duhet të ndërmarrë hapa shtesë për të dhënë informacion përmes autoriteteve të tjera kombëtare.



