Gjykata e Kurbinit, liroi inxhinierin e kompanisë “Eral Construction” ku vdiq Maksim Debrova, me argumentin se ai nuk kishte asnjë lidhje sepse 34-vjeçari nuk punonte aty, por kjo i ka vrarë për së dyti familjarët.
MCN TV ka shkuar në banesën e familjes Debrova në Elbasan, ku gruaja dhe nëna e të riut që ndërroi jetë në 25 maj, tregojnë një tjetër version të historisë teksa akuzojnë kompaninë, që ishte kontraktuar për pallatet e rindërtimit në Milot, se po tenton që të fshehë të vërtetën.
Gruaja Ergeta ka rrëfyer se bashkëshorti i saj ishte invalid, që nuk fliste dhe dëgjonte dhe punonte në ndërtim në të zezë te "Eral Construction". Dyshimet se ngjarja po fshihet shtohen edhe më shumë prej faktit se kompania, i ka kthyer pas sendet personale të viktimës, por jo celularin.
E motra Olta Lleshanaku thotë se disponon video nga momentet e punës se vëllait. Sot ajo kërkon drejtësi dhe mbështetje ekonomike për tre fëmijët e mitur, ku më e madhja është me aftësi të kufizuara.
Gjykata e Kurbinit, e liroi inxhinierin e kompanisë “Eral Construction”, Mondi Turhani, cili tha se i ndjeri nuk kishte asnjë lidhje me kompaninë.



