
Eksperti i sigurisë rrugore, Fadil Likaj, thotë se aktualisht nga këqyrjet paraprake të bëra, disa segmente rrugore janë deri diku të pakalueshme për shkak të pranisë së borës dhe akullit.
Duke folur në një lidhje me studion e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se për shkak të nivelit të rrezikut duhet të tregohemi të kujdesshëm me qarkullimin në mënyrë që të mos kemi aksidente dhe se qytetarët duhet të pajisen me zinxhirë, kur ka prezencë të borës apo akullit.
Sipas tij, drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdesin e duhur, të rrisin distancën e sigurisë mes dy mjeteve.
Në segmente të caktuara, organet ligjzbatuese dhe ente të tjera duhet të kenë bashkëpunim shumë të fortë, në mënyrë që policia të dalë në ato zona ku ka rrezikshmëri.
Si çdo rrugë tjetër në Republikën e Shqipërisë ka mungesë të sinjalistikës vertikale për të treguar prezencën e borës dhe akullit.
Entet pronare të rrugëve nuk mund të marrin masa në këto ditë, por duhet të marrin masa në kohë më të mirë.
Në Shqipëri jemi në situata ku mungon kjo sinjalistikë e mirëfilltë për të përcjellë një mesazh tek qytetarët.
Padyshim mungesa e sinjalistikës është burim për aksidente, se gjuha e komunikimit të drejtuesit të mjetit dhe rrugës, është sinjalistika.
Nëse nuk do kemi sinjalistika të veçantë të përforcuara me sinjalistikë, mund të ketë shtim aksidentesh.
Po ashtu në Shqipëri kultura e gomave dimërore mungon, duke qenë se Shqipëria nuk ka kushte ekstreme moti në maksimum dhe minimum.
Përdorin goma që quhen për katër stinët dhe nuk i ndërrojnë. Apeloj drejtuesit e mjeteve që të kenë dy palë goma, për në dimër dhe në verë.
Ajo që e mban mjetin në rrugë, janë gomat të cilat kanë rol të rëndësishëm, pasi aty bëhet kontakti fizik mes dy trupave të ngurtë.
Në zonat perëndimore shtetet marrin masa, nxjerrin patrullat kur ka prezencë të madhe bore dhe akulli, duke marrë dhe masa administrative për qytetarët kur shohin se gomat e atij automjeti nuk janë të përshtatshme për segmentin ku qarkullon.
Sa do që policia të marrë masa administrative për qytetarët, kjo gjë nuk mjafton se mungon kultura e qytetarëve për ndryshimin e gomave.
Kur kemi shi, futen dhe elementë të tjerë jo vetëm gomat.
Në shumë segmente rrugore kemi basene ujore, se nuk ka drenazhim shumë të mirë të rrugëve, ka basene në formën e një kanali dhe këtu futen elementë të tjerë për rritjen e rrezikut të aksidentit.
Në rrugën Tiranë-Durrës në korsinë e ngadalësimit, aksi ishte si kanal. Nëse do kemi prezencë uji në rrugë, kontakti fizik mes gomës dhe rrugës nuk është e duhura.
Sa i takon situatës në qarkun e Korçës, Likaj bëri të ditur se e ka vizituar një ditë më parë dhe ka parë prezencë bore, por se situata ishte normale dhe kishte filluar hedhja e kripës në rrugë.
Kam konstatuar se nuk ka sjellje profesionale për shpërndarjen e kripës. Shikojmë një automjet shumë të amortizuar që shpërndan kripën.
Shteti duke parë këto zona me prezencë të madhe bore dhe akulli, duhet të rrisë numrin e automjeteve të reja se mjetet e amortizuara me zi mbajnë veten në rrugë.



