Mbyllen hetimet për grupin që hakeroi SPAK. Dëshmia e Rrokajt: U futa nga kurioziteti. Ismaili: I shpërndava se mendova që ishin lajme

Mbyllen hetimet për grupin që hakeroi SPAK. Dëshmia e Rrokajt: U futa nga kurioziteti. Ismaili: I shpërndava se mendova që ishin lajme

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal lidhur me hakerimin e sistemeve të saj informatike.

 

Të pandehur në këtë çështje janë: Agim ismaili, ish-drejtor i Burgjeve; Arnold Rrokaj  dhe Zambak Gjoni.

 

Hakerimi i kompjuterëve u sinjalizua në 12 mars të këtij viti dhe brenda pak kohësh përfunduan në pranga ish-zyrtari i burgut Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.

 

Ky i fundit është personi që theu kodet e sigurisë së kompjuterëve dhe materialet e përftuara ia përcolli Gjonit, që nga ana e tij ia përcolli Ismailajt.

 

Në dëshminë e tij, Gjoni deklaron se është njohur me Rrokaj në vitin 2019, kohë kur punonin të dy në Vlorë. Ai shprehet se informacionet e para që Rrokaj i dha kishin të bënin me hetimet në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. 

 

Përpara tre javësh, ndoshta 4 javë, nuk e mbaj mend mirë, Arnoldi më ka dërguar me sms, në aplikacionin Whatssap, disa të dhëna, të cilat ishin materiale hetimore, në format Word, që në pamje të parë dukeshin si materiale hetimore të përpiluara nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Materiali i parë mbaj mend që kishte të bënte me sms apo biseda të gjyera apo të përgjuara, këtë nuk di ta them, nga dosja e shtetasit Arben Ahmetaj, nga përmbajtja e të cilave kuptova se përse bëheshin fjalë pasi isha njohur me rastin nëpërmjet medias. Në vijim më ka dërguar dhe disa materiale të tjera hetimore, por në formatin ëord, si urdhëra ndalimi për një shtetas të cilit nuk ia mbaj mend emrin, material hetimor për shtetasin Damian Gjiknuri, që mbaj mend ishte relacion, që i përkiste vitit 2024, një material hetimor tjetër në format Word për shtetasin Klodian Allajbeu, për të cilin më duhet të sqaroj se ishte pa stemë ose shenjë të strukturës suaj, por nga përmbajtja dukej si informacion i lidhur me hetimin. Më janë dërguar gjithashtu një procesverbal për këqyrjen e një aparati celular të një shtetaseje me emrin Oneida, mbiemrin e të cilës nuk e kujtoj. Ka qenë dhe një material hetimor, si procesverbal kontrolli banese, për disa shtetas me mbiemrin Copja, më duket se për shtetasin Franc Copja. Ka qenë dhe një material tjetër që ishin 2 ose 3 letër-porosi drejtuar shtetasit austriak ose dhe të shteteve të tjera, nuk e mbaj mend mirë.

Gjithashtu, më duhet të shtoj faktin se para 10 ditësh ose 2 javësh, nuk mbaj mend mirë, shtetasi Arnold Rrokaj, më ka dërguar një link dhe një fjalëkalim, për të cilin më tha se mund të aksesoheshin disa përgjime të komunikimeve të platformës Sky. Unë provova ta aksesoj por nuk munda të hyj në këtë link dhe madje i kam shkruajtur dhe shtetasit Arnold Rrokaj ose e kam marrë në telefon dhe i kam thënë që nuk mund ta aksesoj linkun, dhe e kam lënë kështu dhe nuk e kam tentuar më. Lidhur me këtë link ai më tha vetëm që aty mund të aksesoheshin komunikime të dekriptuara të aplikacionit të komunikimit Sky, dhe nuk më dha më tepër informacion si si e kishte akseskuar ai këtë informacion apo nga çfarë burimi e kishte gjetur linkun.. Unë këto informacione ja kam dërguar disa miqve të mi, me të cilët diskutojmë për aktualitetet e ditës ose ngjarje të ndryshme që ndodhin në Shqipëri, si për shembull shtetasve Melsi Beli, Armand Furriku, Erjon Pjetri, Ylber Bregaj, Ermal Kërnaci, Hysenand Osmani, si dhe dy gazetarëve, shtetasve Elvi Fundo dhe Basri Collaku. Me Elvi Fundon kam njohje shoqërore pasi e kam njohur kur kam qenë i punësuar në Korçë, përpara disa vitesh, ndërsa Basri Collakun e kam njohur nëpërmjet miqve të përbashkët. Dua të shtoj faktin se këtyre shtetasve nuk ju kam dërguar të gjithë materialin që më ka dërguar shtetasi Arnold Rrokaj, por vetëm një pjesë të vogël të materialit, pra në total një ose dy nga këto informacione.”

 

Ndërsa vetë Rrokaj, gjatë marrjes në pyetje, është shprehur se ka hyrë rastësisht në sistemin e të dhënave të SPAK.   

 

Kam qenë në banesë duke luajtur me telefonin tim personal, dhe po bëja disa skanime në një faqe online në rrjet, konkretisht, kjo faqe online, të cilat merren me skanimin e domain-eve, për të parë nëse ka ndërfaqe të tjera, nën faqe kryesore. Kjo përdoret nga ekspertët e IT-së, për testimin e portave në rrjet. Pasi kisha provuar disa adresa, kam provuar faqen spak.gov.al. Veprim të cilin e kam bërë vetëm i shtyrë nga kurioziteti se çfarë kishte. Pasi kam provuar këtë faqe nga telefoni, më janë shfaqur tre ose katër ndërfaqe të tjera, të cilat ishin autodiscover.spak.gov.al, e shoqëruar dhe me numrin përkatës të IP-së, e dyta ishte mail.spak.gov.al dhe e treta ka qenë spak.gov.al. Pasi i kam provuar, është hapur vetëm spak.gov.al. Më pas më është shfaqur një faqe email-i, ku më kërkonte kredencialet për të hyrë. Kam provuar disa kredenciale, konkretisht me emrat e prokurorëve të SPAK, pasi emrat e tyre ishin të afishuar në faqen zyrtare të SPAK. Pasi kam provuar disa prej tyre, është arritur të hapet përdoruesi me emrin elida.kackini, me fjalëkalim Spak@2019. Pasi u hap, i shtyrë nga kurioziteti, kam provuar dhe të tjerë përdorues, si për shembull behar.dibra, me fjalëkalim Spak@2019, dhe gjithashtu përdoruesin me emër enkelida.millonai, me fjalëkalim Spak@2019. Pasi këto tre janë hapur, i shtyrë nga kurioziteti, kam filluar duke parë materialet që ishin të dërguara dhe marrë në email-et e këtyre përdoruesve. Këto materiale, janë ruajtur në aparatin tim celular, të cilin ja kam vënë në dispozicion oficerëve të policisë gjyqësore, në folder-in download, në të cilin ka patur dhe materiale të tjera të shkarkuara, të cilat i kam fshirë. Disa prej këtyre materialeve që kam shkarkuar, kam komunikuar me një shokun tim me emrin Zambak Gjoni, të cilit i kam dërguar disa prej këtyre materialeve. Kryesisht i kam dërguar disa informacione që janë bërë publike dhe në media. Këto materiale janë relacione, informacione të përpiluara nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit apo dhe të prokurorëve. Këto materiale nuk i janë dërguar ndonjë personi tjetër, për arsye se kanë qenë tepër sensitive dhe të klasifikuara. Pastaj e kam kontrolluar herë pas here gjendjen e të tre përdoruesve, dhe kur kam gjetur të dhëna të tjera, i kam hapur, i kam lexuar, dhe më pas i kam fshirë. Dua të ritheksoj faktin se këto materiale nuk jam kam dërguar njeriu tjetër përveç se shtetasit Zambak Gjonit dhe gjithashtu i kam administruar vetë. Gjithashtu dua të sqaroj faktin se për herë të fundit e kam kryer këtë veprim dje në mëngjes ose pardje, pra kam aksesuar adresën email behar.dibra, në të cilën vetëm lexova disa materiale, të karakterit të punës së përditshme rutinë, si relacione, informacione etj”.

Ndërsa Ismaili në dëshminë e tij është shprehur se i ka shpërndarë materialet konfidenciale i ka shpërndarë pa e ditur se ishin të tilla.

 

Një natë, përpara disa kohësh, më solli një material si komunikonim vazhdimisht dhe e pashë, ndërkohë që isha duke punuar. Këtë material e shpërndava pasi e mendova se ishte një lajm që kishte dalë nga mediat dhe nuk e mendova gjatë. Më pas e kam lexuar këtë material dhe i hodha një sy. Materiali kishte të bënte me disa hetime të zhvilluara ndaj shtetasit Damian Gjiknuri dhe nuk e kam diskutuar më me njerëz të tjerë. Kam patur komunikime me Zambakun me këtë rast dhe e kam marrë me humor kur më ka thënë që kam patur burime në SPAK. Sidomos këto kohë, kam njohje goxha të thellë me Zambakun dhe e njoh për shkak të kapaciteteve që ka. As më ka shkuar ndërmend” dhe as e kam besuar që ai mund të kishte aksesuar apo korruptuar njerëz në SPAK për të marrë informacion. Gjithnjë kam menduar që ai ka marrë materiale që kishin qarkulluar ndërmjet gazetarësh dhe mi kishte ridërguar mua”.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy