Kriza që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit do të tkurrë ndjeshëm ekonominë e vendit.
Në një intervistë në studion e “Stay Tunned”, eksperti i ekonomisë, Arbi Agalliu, tha se në rastin e Shqipërisë, tkurrja mund të shkojë përtej nivelit të parashikuar botëror prej 5%.
Kjo sepse bizneset e vogla në Shqipëri nuk kanë likujditetin e mjaftueshëm për të financuar kriza si kjo që po kalojmë.
“Është e destinuar të ketë një tkurrje. Institucionet ndërkombëtare e kanë kalkuluar diku te 5%. Por ekonomia shqiptare është e brishtë dhe kjo do të thotë të mos kesh likujditet të financosh vetveten në periudhë krizash. Bizneset patën probleme që në javët e para dhe kërkuan ndihmën e qeverisë. Ky sektor nuk ka kapacitete të mbajë frymën gjallë nëse kjo situatë vijon. Nuk ka likujditet të hequr mënjanë për të financuar kriza të tilla. Bizneset vetëm ditët e fundit të muajit punojnë për të marrë fitim. Nuk ka pasur kapital për të financuar këtë krizë. Paga e luftës ndihmoi vetëm të punësuarit. Biznesve nuk iu hoqën detyrimet”, tha ai.



