
Një gjykatë në Podgoricë dënoi sot me katër muaj burg koreanojugorin Do Kwon, një nga figurat qendrore të kriptomonedhave, i arrestuar marsin e kaluar në aeroportin e kryeqytetit malazez me akuza për mashtrim dhe korrupsion, i cili kërkohet nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara. Lajmin e bënë të ditur mediat e Malit të Zi. Një dënim i ngjashëm me katër muaj burg është dhënë edhe për një bashkëpunëtor të ngushtë të tij. Dy koreano-jugorët u arrestuan më 23 mars kur paraqitën dokumente të rreme identiteti të Kosta Rikës në kontrollin e pasaportave gati për të hipur në një fluturim për në Dubai. Themeluesi i kompanisë Terraform, Do Kwon akuzohet për mashtrim masiv të lidhur me kolapsin e kompanisë së tij vitin e kaluar, i cili i kushtoi investitorëve rreth 40 miliardë dollarë.



