Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis mbajti fjalimin e tij në ceremoninë mortore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, e cila u mbajt në katedralen “Ngjallia e Krishtit” në Tiranë.
Mitsotakis e konsideroi Kryepeshkopin e ndjerë një “diplomat të dashurisë” dhe një urë miqësie mes dy popujve.
Kryeministri grek theksoi se nuk është rastësi që sot e vajtojnë si grekët ashtu edhe shqiptarët.
“Largimi i tij lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm, jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e helenizmit, ku ai ishte për dekada me radhë një dritë udhërrëfyese. Një dritë e ortodoksisë dhe jetës së krishterë.
Nuk është rastësi që sot e vajtojnë si grekët ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepeshkopi ishte një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj me plot të drejtë mund të quhet diplomati i dashurisë, një mision që e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur”.



