
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, doli në një deklaratë për mediat në lidhje me situatën e krijuar në Kukës pas protestës së dhunshme kundër tarifës së Rrugës së Kombit. Shehu kërkoi lirimin e 23 protestuesve të arrestuar.
Shehu u shpreh se e mbështet protestën e qytetarëve, ndërsa shton se nuk është kundër taksës, por kundër vlerës së saj. “Qeveria e ka detyrim ligjor t’i dëgjojë qytetarët e Kukësit. Le të vijë përmes institucioneve zyrtare të komunikojë me qytetarët. Unë e kam deklaruar që nuk jam kundër taksës. Por të gjendet një tarifë e pranueshme. Unë nuk vdiqa të jem kryetar bashkie. Jam i zgjedhur i qytetarëve të Kukësit dhe i përfaqësoj ata. I bëj thirrje qytetarëve të Shqipërisë t’i bashkohen qytetarëve kuksianë. Ata janë njerëz hallexhinj, që protestojnë për hallet e tyre. Unë jam pro protestave të qeta. Edhe protesta e djeshme ka qenë e qetë, por pastaj pati provokime”, u shpreh kryebashiaku i Kukësit.



