MCN TV ka zbuluar të tjera detaje nga vendimi prej 348 faqesh të firmosur nga gjyqtari Erjon Bami që pranoi kërkesën e SPAK për dërgimin e në arrest të Ilir Rrapajt dhe ish-zëvendësministrin e MSH, Klodian Rjepaj.
Rezulton që duke u nisur nga llogaritje të përafërta shpenzimet vjetore në QSUT do të ishin vetëm 96 mijë lekë, nëse do të ishte vendosur në funksion Reparti i Sterilizimit Qendror pranë QSUT, duke mos pasur nevojë për palë të tjera. Veprimet ose mosveprimet e titullarëve për mos vënien në funksion të aseteve të QSUT, në periudhën 2012-2016, kanë shkaktuar shpenzime jo të menaxhuara me ekonomicitet, efiçentë dhe efektivitet për buxhetit të shtetit, duke reflektuar në vlerat rreth 460,000,000 lekë për vitin 2017, dhe rreth 302,000,000 leke për vitin 2018. Për sa më sipër mbajnë përgjegjësi titullarët nga viti 2012, si dhe ish-Ministri i shëndetësisë.
Në njërën prej memove pranohet se Reparti Qendror i Sterilizimit i ndërtuar pranë QSUT, ishte një ide dhe teknologji avangardë për proceset e ripërshtatjes, të të gjithë instrumenteve kirurgjikalë. Kapaciteti i llogaritur i repartit mbulonte ripërshtatjen e instrumenteve kirurgjikalë deri për 60 mijë ndërhyrje në vit. Ndërkohë që po sipas kësaj memo-je gjatë 2013-ës në Shqipëri janë kryer 50 mijë intervente kirurgjikale. Kjo do të thotë se i mbulonte më së miri nevojat e vendit qendra në fjalë. Pavarësisht këtij informacioni ministri i Shëndetësisë Beqaj, në krye të memos ka vendosur shënimin “Dakord! Të vijojmë procedurat e tjera”. Përllogaritet që kontrata koncesionare e sterilizimit fryu kostot në masën 56.4% krahasuar me sektorin publik.
Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”. Në shkurt të vitit 2014, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mori një kërkesë nga drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu – sot ministre e Shëndetësisë, për të vënë në punë një qendër moderne sterilizimi që flinte prej vitesh në spitalin e ri të urgjencës, por kërkesa mbeti pa përgjigje.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t'u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.
Kapaciteti i qendrës së sterilizimit mbulonte rreth 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit nga 50 mijë që raportoheshin se ishin kryer në vitin 2013, por nuk ishte vënë në punë për shkak se nevojitej trajnimi i stafit mbështetës.
Por edhe pse u vu në dijeni për investimin e kryer, ministri Beqaj i hapi dritën jeshile vazhdimit me procedurat e koncesionit. Sipas një auditi të mëvonshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit, qendra publike e sterilizimit parashikohej të funksiononte me 96 milionë lekë në vit ose gati 5 herë më pak nga vlera prej 558 milionë lekësh që kompania koncesionare faturoi në vitin 2016 për të njëjtin shërbim.
Sipas Gjykatës së Posaçme, Beqaj nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, pasi e kishte marrë paraprakisht vendimin për dhënien e shërbimit me koncesion.
“Nga analiza e të gjithë provave të para në unitetin e tyre, gjykata çmon se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me personin në hetim, Klodian Rrjepaj e kishin marrë vendimin e dhënies së shërbimit të sterilizimit me koncesion dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte këtë koncesion…,” arsyeton gjyqtari Bani, duke shtuar se fituesit e paracaktuar ishin Ilir Rrapaj dhe shtetasi Italian Umbro Staccini.
Nga sekuestrimi i postës elektronike të Rrjepajt, hetuesit veçojnë dy emaile të dërguara nga Ilir Rrapaj në shkurt dhe mars të vitit 2014, përmes së cilave i dërgon dy studime të universitetit të Peruxhias, që u përfshinë më pas në studimin e fizibilitetit.
“I dashur Fra'! Ky është teksti që të paralajmërova, për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë,” i shkruante Rrapaj zv.ministrit Rrjepaj. Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2014, zv.ministri ia pason emailin shefit të tij, Ilir Beqaj në emailin zyrtar dhe atë privat. Laboratori i sterilizimit u ble dhe ishte investim publik, ndonëse iu dha Rrapajt sikur ta kishte bërë ai.
Sipas vendimit, shkeljet e ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit ishin bërë me “qëllimin e vetëm për shpalljen fitues” të kompanive që u përkasin Ilir Rrapajt dhe ortakut të tij italian, Umbro Staccini.



