
Emisioni investigativ “Xhadat” trajtoi në emision temën mbi marrjen me qira të asetit lundrues për prodhim energjie, i cili do të vendoset në portin e integruar, pranë Triportit Vlorë. Dy anijet që prodhojnë energji do të transmetojnë energjinë e prodhuar, nëpërmjet TEC-it të Vlorës.
94 mijë e 500 dollarë amerikanë në ditë për qira dhe mirëmbajtje, pa llogaritur vlerën për shpenzim karburanti do të paguajnë shqiptarët, për asetin gjenerues termik ose termocentralin lundrues që do të vendoset në Vlorë. Kontrata e marrjes së tij me qira është 2 vjet dhe kostot kapin shifra marramendëse.
Lidhur me Procedurën dhe dokumentacionin përkatës, mbi të cilën bazohet thirrja për shprehje interesi për marrjen me qira të një aseti gjenerues termik nëpërmjet një impianti lundrues, emisioni investigativ “Xhadat”, në funksion të transparencës kërkoi për disa ditë informacion pranë KESH sh.a.
Përgjigjet e ardhura nga KESH, përveç moskorrektësisë në formulim kishin edhe pasaktësi përsa i përket kostove totale, të cilat do të paguhen nga KESH, por që janë para të taksapaguesve shqiptarë.
Lidhur me pyetjen e emisionit investigativ “Xhadat” se sa është vlera e shpallur fituese nga KESH, për marrjen me qira të asetit gjenerues termik nëpërmjet një impianti lundrues, duke bashkëlidhur edhe dokumentacionin e shpalljes së operatorit fitues, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ktheu këtë përgjigje:
Vlera e ofruar nga ana e subjektit fitues për qiranë e asetit gjenerues termik është 63,000 $ (gjashtëdhjetë e tre mijë) për ditë. Periudha e qiramarrjes do të jetë 2 (dy) vjeçare”.
Pas këmbënguljes së emisionit investigativ “Xhadat” për të bërë transparente koston e qirramarrjes së TEC-it lundrues, KESH ktheu një përgjigje të dytë:
Ofertat financiare të qirasë dhe Operim Mirëmbajtjes për asetin e ofruar janë:Qira ditore për asetin gjenerues me kapacitet 110 MW, 63.000 (gjashtëdhjetë e tre mijë) Dollarë Amerikanë.
Vlerë ditore e Operimit dhe mirëmbajtjes së asetit 31.500 (tridhjetë e një mijë e pesëqind) Dollarë Amerikanë. (Çmimet e ofruara nuk përmbajnë TVSH).
Ndërsa pyetjes së emisionit investigativ “Xhadat” lidhur me sasinë e karburantit të lëngshëm, si gasoil (LFO) ashtu edhe mazut/solar (HFO), që do të duhet të përdorë aseti gjenerues termik në ditë, muaj, vit dhe gjithë kohëzgjatjen e kontratës së qirasë për dy vjet KESH ktheu këtë përgjigje:
Aseti Gjenerues termik ka një kapacitet gjenerues të instaluar prej 110 MW. Konsumi i lëndës djegëse për ditë, muaj dhe vit do të llogaritet bazuar në konsumin specifik për MWh të gjeneruar sipas regjimit të punës së diktuar. Konsumi i lëndës djegëse i deklaruar i aseteve të ofruara për 1 (një) MWh të gjeneruar është rreth 220 kg”.
Kjo në përgjigjen e parë dhe përgjigja e dytë ishte:
Kosto e lëndës djegëse e llogaritur nga shoqëria bëhet referuar konsumit për MWh energji të gjeneruar, e cila është 220 kg/MWh.
Referuar çmimeve të lëndës djegëse HFO për vitin 2022, kosto do të varjojë nga 91.7 $/MWh deri në 132 $/MWh. Kosto mesatare e llogaritur e 1 MWh energjie nga aseti bazuar në të dhënat më sipër, llogaritet të jetë për vitin 2022 rreth 170 $/MWh.
Me rezervë sqarojmë se kosto e lëndës djegëse që do të prokurohet do të nxjerrë saktë koston e energjisë që gjenerohet nga ky aset.
Në përfundim të kësaj kostoja e asetit gjenerues për vlera për qira dhe mirëmbajtje në një vit llogaritet 34,492,500 dollarë dhe për dy vjet 68,085,000 dollarë, pa tvsh dhe pa përfshirë vlerën e karburantit.
Se çfarë vlere do arrijnë kostot e karburantit mbetet për tu parë pas prokurimit, ndërkohë që për ekspertët e energjitikës kostoja gjithsesi është shumë e lartë.
Eduart Elezi shprehet se forma të tilla gjenerimi në Shqipëri nuk duhet as të diskutohen.
I bie për 2 vjet më mirë të rregullojmë termocentral vetë ne, sesa të paguajmë qiranë e kompanisë. Këto lloj gjeneratorësh janë të instaluar në vendet e botës së 3-tw, në asnjë vend të Europës nuk ndodh kjo, në asnjë vend të zhvilluar nuk ndodh kjo.
Nëse ne pranojmë që jemi vend i botës së tretë, por fatmirësisht jemi gjeografikisht pjesë e Europës dhe nuk duhet të diskutohen forma të tilla gjenerimi në Shqipëri”.
Ndërsa Azmer Duleviç, një tjetër ekspert i fushës së energjitikës, tha se përveç kostos së madhe, energjia e prodhuar nga ky aset gjenerues është e vogël, krahasuar me nevojat e konsumatorëve në vendin tonë.
Kostoja po e përkthej për qytetarët, në një ditë të vetme e këtyre anijeve prodhuese, gjeneruese të energjisë elektrike, pa u përfshirë pjesa e karburantit, vetëm qiraja dhe mirëmbajtja, ka një kosto shumë të madhe dhe prodhimi i energjisë, që këto të dy tece lundruese prodhojnë është diku rreth 114 MWh, që mbulon 13-14 % të nevojave të konsumatorëve për energji elektrike në vendin tonë.
Pra plus karburantit është edhe një kosto e shtuar që do rëndojë në taksat e qytetarëve.
Sipas ekspertëve, karburanti që do të prokurohet do jetë kosto e shtuar. Por ajo që nuk dihet ende është vlera e tij, duke pasur parasysh çmimin gjithmonë në rritje të tij.
Të dyja anijet që do të prodhojnë energji do të transmetojnë nëpërmjet TEC-it të Vlorës, i cili ju ka kushtuar shqiptarëve, 130 milionë euro dhe nuk ka punuar asnjë ditë. I mbetur në konservim ky Tec vazhdon të marrë para shtesë, jo vetëm për mirëmbajtjen 10 vjeçare, por tani edhe për ndryshimin e teknologjisë dhe përsëri nuk ka siguri nëse do të funksionojë ose jo.



