Një studente saudite e Universitetit anglez të Leeds, e cila ishte kthyer për pushime në vendlindjen e saj, në Arabi Saudite, u dënua me 34 vite burg për shkak se u zbulua se kishte hapur një llogari në Twitter dhe për ndjekje dhe ripostime të aktiviteteve të disidentëve vendas.
Një lajm i tillë raportohet nga The Guardian, duke kujtuar se si vendimi i gjykatës speciale saudite kundër terrorizmit erdhi disa javë pas vizitës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në Arabinë Saudite.
Salma al-Shehab, 34 vjeç, nënë e dy fëmijëve të vegjël, fillimisht u dënua me tre vite burg për përdorimin e një faqe interneti, e akuzuar për shkaktim të trazirave publike dhe destabilizim të sigurisë civile dhe kombëtare.
Por ditët e fundit një gjykatë apeli dha dënimin e ri, 34 vite burg plus 34 vite ndalim të udhëtimit jashtë vendit, pasi një prokuror u kërkoi gjyqtarëve të verifikonin krime të tjera të supozuara.
Shehab akuzohet gjithashtu se ka ndihmuar disidentët që kërkojnë të shkaktojnë trazira publike dhe të destabilizojnë sigurinë civile dhe kombëtare duke ndjekur llogaritë e tyre në Twitter dhe duke ripërsëritur “tweet-et” e tyre.



