
Zhdukje e re misterioze e një politikani të rangut të lartë në Kinë. Bëhet fjalë për ministrin e Mbrojtjes i cili është zhdukur nga skena.
Gjenerali Li Shangfu u pa për herë të fundit më 29 gusht, ditën kur mbajti një fjalim në Forumin e Paqes dhe Sigurisë, Kinë-Afrikë.
Udhëtimi i tij i fundit jashtë vendit ishte në mesin e gushtit, kur shkoi në Moskë dhe Minsk, ku u takua me zyrtarët rusë në margjinat e një konference të sigurisë dhe me Presidentin Bjellorus, Aleksandër Lukashenko.
Qeveria amerikane, raporton Financial Times, beson se Li është vënë nën hetim.
Ishte Rahm Emanuel, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Japoni, i cili foli hapur për shqetësimin e Amerikës për një histori që ka aromën e një historie detektive.
Zhdukja e zyrtarit të lartë vjen pas largimit të papritur nga posti i ministrit të Jashtëm kinez Qin Gang në muajin korrik, pas një mungese të zgjatur dhe misterioze prej javësh.
Xi zëvendësoi dy gjeneralë të lartë në fillim të gushtit. Njëri prej tyre, ish-komandanti Li Yuchao, nuk ishte parë në publik për disa kohë dhe asgjë nuk u zbulua për arsyet e largimit të tij.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2013, Xi ka zhvilluar një fushatë të gjerë dhe shumë të ashpër kundër korrupsionit, e cila, sipas analistëve, ka synuar edhe kundërshtarët politikë.
Goditja e korrupsionit në Ushtrinë Çlirimtare Popullore ishte tejet e ashpër. Por më shumë se një dekadë në sundimin e tij, dhe pas konsolidimit më të madh të pushtetit rreth një lideri kinez që nga Mao Ce Duni, gradat e larta tani janë kryesisht aleate me Xi.
Li Shangfu u emërua ministër i Mbrojtjes në mars 2023, pasi shërbeu për disa muaj si anëtari më i lartë i Komisionit Qendror Ushtarak, i cili mbikëqyr forcat e armatosura.
Në vitin 2018, si drejtor i departamentit të zhvillimit të pajisjeve ushtarake, ai u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerjen e ushtrisë të pajisjeve ushtarake ruse.



