Sekretari i organizatës OMONIA Marin Suli tha në një lidhje skype në MCN Live se janë bërë dy kallëzime penale ndaj kryebashkiakut në detyrë të Himarës Jorgo Goro. Ai tha se kallëzimet janë bazuar në gjetjet e raportit të KLSH për vitin 2021. Sipas Sulit, kallëzimi i parë lidhet me bashkëshortin e ish-ministres Xhaçka si investitor strategjik, ku pretendohet për grabitje prone, dhe kallëzimi i dytë lidhet me abuzimet me fondet. Ai paralajmëroi të tjera kallëzime, duke vënë në dukje se ka denoncime për falsifikim tapish, shkeljesh të drejtash pronësore, etj.
Janë dy kallëzime. Është bërë një kallëzim për një investitor strategjik në një pronë të një qytetari himariot të grabitur. Është bërë edhe një kallëzim tjetër për z.Jorgo Goro dhe disa drejtues të bashkisë së Himarës në detyrë për abuzime me fondet, bazuar nga raporti i KLSH për vitin 2021. Nuk kam informacion për çfarë është marrë në pyetje në SPAK z.Goro. Provat janë raporti i KLSH, procedura e dhënies së investitorit strategjik. Stafi i z.Beleri ka vlerësuar se ka elemente për vepër penale, për të cilat kanë depozituar kallëzim penal. Është një çështje për investitorin strategjik, bashkëshortin e znj. Olta Xhaçka. Po bëhen gati të depozitohen edhe një sërë kallëzimesh të tjera. Pranë zyrës së z.Beleri ka denoncues shumë të mëdhenj për tapi të falsifikuara, për shkelje të të drejtave pronësore të himariotëve në favor të investitorëve të prezumuar strategjikë. Bashkia e Himarës do jetë avokati i interesave të himariotëve në 4 vitet në vijim. Nuk ka hakmarrje. S’besoj se ka provë më të fortë se sa raporti i KLSH për vitin 2021. Drejtësia s’ka asnjë provë që e implikon z.Beleri me shit-blerjen e votës. Dosja në gjykatë është skandaloze që në çdo vend të botës do qeshnin studentët e vitit të parë Juridik. Po ndërtohet pa leje në çdo cep të Himarës, policia bën sikur s’shikon. Në bashkinë e Himarës vazhdojnë abuzimet, është lënë në rrjedhje të lirë administrimi i një prej bashkive më të rëndësishme të Shqipërisë. Seanca e radhës ndaj z.Fredi Beleri është në 12 tetor, i gjyqit të themelit. Në datën 10 ka dalë edhe data që z.Beleri ka paraqitur në Gjykatën e Durrësit, për kërkesën e tij që të betohet si kryetar bashkie”.



