Kampet e hapura në Parkun Kombëtar të Shebenikut/ Guida Lyto Alliu dhe inxhinieri i pyjeve Fatos Koka, promovojnë lidhjen e veçantë me natyrën

Kampet e hapura në Parkun Kombëtar të Shebenikut/ Guida Lyto Alliu dhe inxhinieri i pyjeve Fatos Koka, promovojnë lidhjen e veçantë me natyrën

Për të pestin vit radhazi, në Fushë Studën të Steblevës, pranë Parkut Kombëtar të Shebenikut në Librazhd, u organizua aktiviteti “Kampi i Yjeve Perseid”, një event që tashmë është kthyer në traditë për dashamirësit e natyrës dhe astronomisë.

Guida turistike dhe astrografi Lyto Alliu, një nga guidat më të njohura në Shqipëri, ishte organizatori kryesor i këtij aktiviteti të përvitshëm. 

Për shikuesit e emisionit “Zgjohu me MCN”, ai foli për fenomenin e rrallë të “Shiut të Yjeve Perseid”, i cili shkaktohet nga shpërbërja e një komete në miliona grimca që digjen në atmosferën e Tokës.

Qindra të rinj dhe pjesëmarrës nga grupmosha të ndryshme, nga e gjithë Shqipëria, iu bashkuan këtij organizimi për të përjetuar nga afër spektaklin natyror të meteorëve Perseid, që ndriçuan qiellin e natës duke dhuruar pamje mahnitëse.

Ky është viti i pestë që organizojmë ‘Kampin e Yjeve’ në Parkun Kombëtar të Shebenikut, në fshatin Fushë-Studën. Aktiviteti njihet ndryshe si ‘Shiu i Yjeve Perseid’ dhe çdo vit interesi rritet. 

Lidhja ime me zonën ka nisur fillimisht me guidat përgjatë Via Egnatia-s, ndërsa më pas lindi ideja për të promovuar Parkun Kombëtar të Shebenikut, i cili është një nga parqet më të mëdha në Shqipëri për nga sipërfaqja. Parku është i mbrojtur nga UNESCO dhe përfshin pyje mbi 300-vjeçare, 14 liqene akullnajore dhe tre liqene artificiale, duke ofruar mundësi të mëdha për zhvillimin e paketave turistike natyrore.

Duke qenë se zona nuk ka pasur më parë akomodim të zhvilluar, mendova të krijojmë fillimisht kampingje në natyrë, duke ndërtuar një identitet turistik të qëndrueshëm. 

Sezoni turistik në këtë zonë nis nga prilli dhe zgjat deri në fund të shtatorit. Çdo vit, aktivitetet zhvillohen me ekspertë të fushës dhe kulmi i tyre mbetet “Nata e Yjeve”, e cila është organizuar edhe përgjatë rrugës Egnatia, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë.

Nga ana tjetër, inxhinieri i pyjeve dhe specialist i menaxhimit në Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Qarku Elbasan, Fatos Koka, flet për pasurinë e jashtëzakonshme të florës dhe faunës së Parkut Kombëtar të Shebenikut.

Parku i Shebenikut është një nga më të mëdhenjtë në Shqipëri dhe shtrihet në territorin e tre bashkive. Flora është jashtëzakonisht e pasur për shkak të disnivelit të madh dhe kushteve të ndryshme klimatike. Rreth 82% e bimëve mjekësore të vendit gjenden në këtë park. 

Falë monitorimeve të vazhdueshme me kamera në terren, janë evidentuar specie të rralla si rrëqebulli i Ballkanit, i cili është në rrezik zhdukjeje, por që po shtohet gradualisht në habitatin e tij natyror. Gjithashtu, janë fotografuar edhe specie të tjera të rralla si dhia e egër.

Parku Kombëtar i Shebenikut mbetet një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë, duke ofruar një kombinim unik të natyrës së paprekur, biodiversitetit dhe turizmit të qëndrueshëm, prandaj duhet promovuar dhe vizituar vazhdimisht që ta njohim me shumë. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy