Pas skandalit se Tire Alldervishaj, sanitare në Spitalin Covid2 ka mashtruar në qytetare duke i marrë mbi 8 milionë lekë për t’i shërbyer nënës së saj të infektuar me koronavirus, ka reaguar zyrtarisht spitali “Shefqet Ndroqi”.
“Shefqet Ndroqi” e ka dënuar ashpër veprimin e sanitares duke e quajtur çnjerëzor, dhe i ka kërkuar autoriteteve kompetente ti shkojnë deri në fund hetimit të kësaj çështje.
“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi'”, thuhet në reagimin e spitalit “Shefqet Ndroqi”.



