Pasiguria për pronën/ Berki: Nivel shumë i lartë. Subashi: Është përkeqësuar. Dervishi: Problem i rëndë mbivendosja

Pasiguria për pronën/ Berki: Nivel shumë i lartë. Subashi: Është përkeqësuar. Dervishi: Problem i rëndë mbivendosja

Pasiguria për pronën në Shqipëri mbetet një nga problemet më të mprehta që prek mijëra qytetarë, me procese gjyqësore që zvarriten për dekada, mbivendosje pronash dhe tituj juridikë të kontestuar. 

 

Të ftuar në një diskutim publik, ekspertë të fushës ligjore dhe teknike ngritën alarmin se situata është më e rëndë sesa shifrat zyrtare.

 

Avokatja Elona Berki theksoi se perceptimi i qytetarëve për pasigurinë e pronës është shumë më i lartë se 20%.

 

Mund të duket e frikshme shifra 20%, por realiteti është se pasiguria për pronën është në nivel edhe më të lartë. Kjo anketë është perceptim i bërë nga shqiptarët. Sot që flasim, pasiguria është totale.

 

Sipas saj, në vend vijojnë procese gjyqësore që nisin për një të drejtë themelore të qytetarit dhe nuk përfundojnë as pas 30 vitesh. Ajo evidentoi mbivendosjen e pronave dhe të titujve juridikë si një problem në nivele shumë të larta.

 

Në Shqipëri, mbivendosja e pronave dhe titujve juridikë është në nivele shumë të larta. Pra sot pasiguria është shumë më e lartë.

 

Berki kërkoi ndërhyrje në ligjvënie, rritje të kulturës juridike dhe informimit publik, si dhe një sistemim të thelluar të dosjeve konfliktuale që prej vitesh qëndrojnë në administratë.

 

Duhet një bashkërendim më i madh sesa lënia në dorë e një institucioni të vetëm. Dalja e institucioneve të reja ka shtuar konfliktet, ndaj nevojitet një auditim i regjistrit kombëtar të pronave.

Ajo shtoi se konflikti për pronën është kthyer në një amulli dhe se shpresat për një mbyllje përfundimtare të procesit janë të pakta.

 

Nga ana tjetër, ekspertja Ornesta Subashi denoncoi dëmtimin e qëllimshëm të regjistrave kadastralë.

 

Kemi dëmtim të qëllimshëm të regjistrave kadastralë. Pasiguria është përkeqësuar. Sot flasim për rreth 85% pasiguri të perceptuar nga popullsia. Është një histori për të ardhur keq.

 

Sipas saj, situata është rënduar edhe nga fatkeqësitë natyrore si përmbytjet dhe zjarret, që kanë nxjerrë në pah mungesën e sigurisë juridike mbi pronën.

 

Subashi kritikoi edhe ligjin 7501, duke e konsideruar si një ndër aktet që ka prodhuar pasoja të rënda për çështjen e pronësisë.

 

Ka pasur raste kur regjistrat janë grisur apo zhdukur. Hipoteka u zhvendos për një periudhë në një godinë tjetër dhe shumë qytetarë u detyruan të rinisin procedurat nga fillimi.

Ndërkohë, inxhinieri Raimond Dervishi tha se pasiguria reale është më e lartë se raportimet ndërkombëtare.

 

Problemi më i rëndë është mbivendosja, që u shfaq me rënien e regjimit komunist. Për një pronë të vetme kemi deri në katër pretendentë të ndryshëm.

Sipas tij, konfliktet më të mëdha në gjykata janë mes pronarëve dhe shtetit, ndërsa problemet datojnë që me ligjet e para të viteve të tranzicionit.

 

Ligji për legalizimet u bë një tjetër burim mbivendosjeje. Më pas privatizimi i ndërmarrjeve ua mohoi të drejtën pronarëve të ligjshëm. Sot kemi shumë palë që konkurrojnë për të njëjtën pronë dhe në fund titullin e merr ai që paguan më shumë.

 

Dervishi shtoi se regjistrimi fillestar i pronave mbetet një proces kyç, por zgjidhjet shpesh nuk arrihen me shtetin, duke bërë që kalvari gjyqësor të zgjasë me vite.

 

Ekspertët ranë dakord se pa një auditim të thelluar, rishikim ligjor dhe përgjegjësi institucionale, pasiguria për pronën do të vijojë të mbetet një plagë e hapur për shoqërinë shqiptare.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy