Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, komentoi në studion e MCN TV deklaratën e ish-kryeministrit izraelit, Olmert, sipas të cilit Netanyahu po zhvillon një luftë private. Milo tha se deklarata e Olment ka një bërthamë të së vërtetës.
Është një çështje delikate dhe problemet e krimeve dhe akteve të gjenocidit janë relativizuar. E drejta ndërkombëtare ka filluar të nëpërkëmbet. Në këtë rast, deklarata e Olmert ka një bërthamë të së vërtetës. Ngjarjet që kanë ndodhur në Palestinë dhe në Gaza nuk kanë të bëjnë me eliminimin e një organizate si Hamasi. Nëse target do të ishte vetëm Hamasi, askush nuk do të fliste për akte gjenocidale. Në momentin që shihet shumë qartë se viktima janë fëmijë e njerëz të pafajshëm, atëherë është e qartë se kemi të bëjmë me akte të dënueshme. Aktualisht, unë e shoh të vështirë për të bërë një gjykim final, por një ditë do të vijë. Përtej krizave ka pasur gjithmonë reflektime dhe ndëshkime për të gjitha konfliktet. Pas konflikteve ka ardhur koha e atyre forcave dhe njerëzve që kanë kryer akte gjenocidi. Shembulli ka qenë konflikti në Kosovë. Izraeli ka mbështetje absolute nga SHBA. Mund t’i jetë dobësuar përkrahja nga vende europiane dhe më gjerë. Izraeli ka përbërë gjithmonë një pikë mbështetje për SHBA në Lindjen e Mesme. Duke qenë e tillë gëzon një mbështetje të fortë në SHBA. Ka një lob të fuqishëm Izraeli në SHBA. Nuk ka thjesht vota që u duhen partive politike amerikane, por ka edhe përfaqësues në institucionet më të larta. Për rrjedhojë ka një politikë konstante pro Izraelit.
Ndërsa në lidhje me faktin që Franca përsëriti së fundmi qëndrimin për njohjen e Palestinës si shtet, Milo tha se në takimin e iniciuar prej saj do të shihet nëse shtete të tjera do t’i bashkohen.
Presidenti Macron rikonfirmoi qëndrimin e Francës dhe e kushtëzoi me mënyrën si Izraeli do të sillet ndaj bllokadës për furnizimet. Franca ka qenë gjithnjë në përkrahjes së zgjedhjes së dy shteteve. Por tani ripërsërit më me forcë këtë qëndrim. Vendet anëtare të BE-së e kanë këtë qëndrim që ka Franca, por nuk ka një qëndrim të vetë BE për këtë çështje. Nga mesi i muajit në Nju Jork ka një iniciativë të Francës dhe Arabisë Saudite dhe aty do të shihet se cilat vende do të mbështesin qëndrimin e Francës.



