Mbylljen e kolegjit dhe kopshtit turk, gazetari Mentor Kikia e sheh si vendim të ndërmarrë në kushtet e presionit të ushtruar mbi qeverinë shqiptare nga Ankaraja. Në studion e lajmeve të MCN TV, Kikia tha se qeveria shqiptare po zbaton porositë e presidentit Erdogan. Sipas Kikisë, Erdogan po e ushtron këtë lloj presioni atje ku e di se ka efekt.
Nuk ka nevojë të bëjmë rivlerësim. Mbyllja e shkollës ishte një lajm i keq. Por lajm edhe më i keq është fakti se mbyllja e shkollës erdhi për arsye që nuk kanë të bëjnë me ato që u deklaruan zyrtarisht. Mendoj kështu sepse në mënyrë sistematike shkolla ka qenë në listën e autoriteteve turke si shkolla të rrjetit Gylen.
Gylen ka një rrjet të gjerë arsimor në Europë, me epiqendër Brukselin. Këto shkolla janë në shënjestër të qeverisë turke. Kjo e fundit ka për qëllim të shkatërrojë gjithçka që Gyleni ka investuar në Ballkan. Influenca turke në BE nuk ka efekt, por po ushtrohet në mënyrë të dhunshme në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje. Në këto vende ka më shumë peshë fjala e qeverisë turke për të mbyllur këto shkolla, për të ekstraduar bashkëpunëtorë të Gylenit.



