
Qeveria italiane po shqyrton mundësinë e nxjerrjes jashtë qarkullimit të makinave të vjetra dhe atyre që i përkasin kategorisë Euro 3, nëpërmjet incentivave shtetërore. E prezantuar për herë të parë në vitin 1999, kjo kategori përfshin makinat e shitura brenda BE-së që shkelin standardet e emetimit të gazrave ndotëse (standardet e Euro 3 vlejnë për të gjitha automjetet e regjistruara duke filluar nga 1 janari i vitit 2001).
Në një intervistë për revistën e përmuajshme, “Aci l’Automobile”, Sergio Costa, ministri i Ambientit dhe Ruajtjes së Territorit dhe Detit, është shprehur se ka nisur një dialog me ministrin e Transportit, Danilo Toninelli, “në përputhje të plotë me kompetencat e secilit dikaster, në lidhje me zëvendësimin e makinave me naftë dhe benzinë që hyjnë në kategorinë Euro 3”.
“Parashikoj një marrëveshje të mirë që do të na çojë drejt zgjidhjes së përbashkët”, shprehet Costa.
Ministri Costa thotë se synimi është ulja në zero që në burim e emetimit të gazrave. Alternativa më e mirë për këtë janë makinat elektrike.
“Makinat elektrike janë një nga zëvendësuesit më të mirë për makinat që ndotin më shumë. Ministria ime është nxitëse e marrëveshjeve me ministritë e tjera të përfshira në kërkimin e një zgjidhjeje optimale. Veç kësaj, makina elektrike është pjesë e sistemit të ri të mbrojtjes së shëndetit dhe mjedisit dhe kjo është një temë për të cilën premtoj angazhimin maksimal, në mënyrë që qeveria të promovojë përdorimin e saj”, është shprehur ai.
Nxitja e zëvëndësimit të mjeteve me karburant me ato elektrike është një nga synimet e qeverisë italiane. Zëvendëskryeministri Luigi di Maio, pak javë më parë, u shpreh se objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2022, në qarkullim të jenë 1 milion makina elektrike.
Ndërkohë, edhe Enel ka prezantuar një plan, në kuadër të të cilit do të investojë 300 milionë euro, për instalimin e 14 mijë stacioneve të karikimit brenda vitit 2022.



