
Teksa prezantoi drejtorin e ri të Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafën, kryeministri Edi Rama vlerësoi me superlativa punën e institucionit dhe të ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj.
Analisti Pano Soko, i ftuar në “MCN Live”, u shpreh se kjo dalje publike e Ramës synon mbrojtjen e vetë kryeministrit.
Sipas Sokos, nëse bëhen publike mënyrat se si janë marrë vendimet brenda AKSHI-t, Rama mund të rezultojë i ekspozuar.
Skandali i AKSHI-t është multidimensional. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje financiare, edhe pse vlera është e madhe. Problemi qëndron te përmasat e tij.
Çështja përfshin jo vetëm dyshime për shpërdorim fondesh publike, por edhe elementë që lidhen me përdorimin e të dhënave dhe funksionimin e strukturave shtetërore.
Ai theksoi se, ndryshe nga raste të tjera ku zyrtarë të lartë janë përballur me hetime, qasja e Ramës ndaj AKSHI-t ka qenë më e veçantë, për shkak të varësisë direkte të këtij institucioni nga Kryeministria.
AKSHI është një strukturë që varet drejtpërdrejt nga kryeministri.
Rama është shumë i interesuar dhe i përfshirë në këtë institucion. Nëse ekspozohen mënyrat se si janë marrë vendimet, ai del i ekspozuar.
Përmasat e çështjes lidhen edhe me rolin e AKSHI-t në ndërtimin e infrastrukturës dixhitale dhe sistemeve të administrimit elektronik, çka e bën situatën edhe më sensitive nga pikëpamja politike dhe institucionale.



