Ngrirja e fondeve të USAID-it, ka prekur tanimë edhe Shqipërinë. MCN TV mëson se nga projekti “Justice for all” janë larguar ndihmësit ligjorë nga Gjykata e Lartë, raporton gazetari Arsen Rusta.
Prej afro 4 ditësh ata kanë ndërprerë punën dhe kanë dorëzuar zyrat dhe pajisjet.
Ata ishin rekrutuar nga KLGJ dhe ambasada për të ndihmuar gjyqtarët e lartë. Në total janë mbi 50 persona që deri më tani kanë ndalur punën.
Më konkretisht janë larguar ndihmësit në KLGJ, KLP, SPAK, si dhe ndihmësit ligjorë në Gjykatën e Apelit.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live bën me dije:
“Mcn Live ka mundur të mësojë ekskluzivisht se prej 4 ditësh, anëtarët e ndihmësit ligjorë në Gjykatën e Lartë, ndihmës ligjorë në Gjykatat e Apelit, stafi mbështetës në KLGJ, KLP, por edhe pranë SPAK, tashmë kanë pezulluar detyrën, janë larguar duke dorëzuar zyrat dhe pajisjet e punës, laptop dhe mjete të tjera, përfshirë telefona celularë, duke krijuar një ngërç në sistemin e drejtësisë. Në Gjykatën e Lartë ndikimi është mjaft i madh, është projekti ‘Justice for all’ që nëpërmjet ambasadës së SHBA-ve dhe KLGJ-së firmosën një memorandum bashkëpunimi, ku ndihmësit ligjorë do të ndihmonin gjyqtarët për të përshpejtuar ecjen me dosjet e mbetura, afro 39 mijë dosje. Ata do shqyrtonin cilat dosje ishin me përparësi, mangësi dokumentesh, apo cila duhet të kalojë për shqyrtim nga gjyqtarët. Në Gjykatën e Lartë ishin 9 të kontraktuar, që kishin filluar punën prej 8 muajsh. Stafi mbështetës pranë SPAK-ut, një përfaqësues i cili ka qenë projekt i ‘Justice for all’. po ashtu është larguar. Flitet se ka patur largime edhe ONM-ja, shefi i tyre ka lënë Shqipërinë, por kjo mbetet për t’u verifikuar. 50 persona kanë pezulluar punën. E-maili që kanë marrë nga ambasada amerikane është që menjëherë duhet të ndërpresin punën. A do ta rikuperojë buxheti i shtetit këtë vakancë, kjo mbetet për t’u parë"



