Incidentet dhe tensionet e fundit në protestat e opozitës kanë nxitur reagime të shumta lidhur me menaxhimin e situatës politike dhe sjelljen e palëve të përfshira. Gazetari Denis Dyrnjaja, gjatë një analize në tMCN Live, ka lëshuar një paralajmërim të fortë për deputetët e shumicës parlamentare, duke theksuar se injorimi i revoltës qytetare nuk mund të vazhdojë më.
Sipas tij, mungesa e dialogut dhe përpjekjet për të shtypur protestën vetëm sa do të rëndojnë reagimin popullor. Dyrnjaja u shpreh se tensionet në shesh nuk vijnë nga skenarë të parapërgatitur, por si pasojë e një pakënaqësie të akumuluar që shpërthen në mënyrë të vetvetishme në mungesë të dëgjimit nga ana e qeverisë.
Mosdëgjesa ka sjellë këtë situatë. Incidentet në protestë ndodhin spontanisht, nuk ka organizim. Tani këta deputetë të Partisë Socialiste le të dalin në shesh dhe të dëgjojnë popullin, meqë janë dhe përfaqësuesit e tij, për atë çfarë populli pretendon se nuk është në formën e duhur dhe që kërkohet. Por nëse gjërat janë në rregull, deputetët janë të popullit dhe s’kanë pse të shmangen, se tani sa kohë do shmangen këta? Nuk shkon më të fshihen si struci. Duhet një lloj mekanizmi që të thyejë barrierën, se do ngarkohet më shumë situata me këtë idenë për ta shtypur protestën që t’u mbyllë gojën, por kjo s’ka për të ndodhur”, deklaroi gazetari.
Më tej, i pyetur nëse qëndrimet e ashpra të Kryeministrit Edi Rama, i cili shpesh i ka cilësuar tubimet si akte vandalizmi, arrijnë ta zbehin hovin e protestuesve, Dyrnjaja vlerësoi se strategjia e frikësimit apo e propagandës nuk po funksionon më.
Duket se jo, reagimet e Ramës nuk e shuajnë fuqinë e protestës. Dy mënyra janë: ose fuqia që të trembë njerëzit që të mos dalin më, por s’besoj të ndodhë sepse kjo do i karikojë më shumë ata, pasi videot që dalin krijojnë një përshtjellim më të madh se ajo përpjekja e policisë për të mbajtur brenda ligjit ushtrimin e forcës. Protesta nuk është më paqësore, prandaj ka nevojë për zgjidhje politike sepse është kthyer në problem. Të gjenden instrumentet që të zgjidhin problemet mes policisë dhe protestuesve. Nuk mund të vazhdohet përpara me pretekstin se është me mision që ‘do hyjmë në BE’, sepse këtë s’duan ta dëgjojnë fare njerëzit, pasi kanë 13 vite që e dëgjojnë. Këtu ka një mbingopje me arrogancën dhe korrupsionin. Ka nevojë për një rikapitulim të të gjithë situatës, sepse është policia ajo që po merr të gjitha kostot në këtë histori.



