
Thelbi i kërkesës së opozitës në protesta ka mbetur i pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike, e cila sipas PD-së do të garantonte zgjedhje të parakohshme dhe një proces të drejtë elektoral.
I ftuar në “MCN Live”, gazetari Mariglen Kume u shpreh se nuk sheh një arritje konkrete në drejtim të krijimit të një qeverie teknike, por vlerëson se aksioni politik ka prodhuar disa rezultate në planin politik.
Protesta ishte qartësisht politike dhe kishte si objektiv kryesor kryeministrin. Opozita e ngriti nivelin e përgjegjësisë duke e adresuar drejtpërdrejt te kreu i qeverisë, me argumentin se çdo vendimmarrje institucionale mban përgjegjësinë e drejtuesit.
Ndonëse nuk ka një sinjal për pranimin e kërkesës për qeveri teknike, aksioni opozitar ka arritur të rikthejë në vëmendje çështjen e reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.
Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, sipas tij, kanë theksuar nevojën për reforma reale, gjithëpërfshirëse dhe me konsensus të opozitës.
Protesta politike ka dallim thelbësor nga protestat qytetare, pasi ajo organizohet dhe drejtohet nga një forcë politike me objektiva të qarta pushteti.
Në përfundim, Kume thekson se mbetet për t’u parë nëse do të arrihet krijimi i një qeverie teknike, por sipas tij, PD ka arritur një rezultat politik duke imponuar në debat çështjen e reformave dhe standardeve zgjedhore.



