
Një masakër e vërtetë me së paku 20 të vrarë është shënuar në tre zona të ndryshme të Lewiston, qyteti i dytë më i madh i Maine, SHBA.
Numri i përkohshëm i viktimave është të paktën 20 të vdekur dhe 50-60 të plagosur, por burime pranë policisë paralajmërojnë se mund të përkeqësohet në orët në vijim.
Sulmuesi, i identifikuar si 40-vjeçari Robert Card, një ish-instruktor i armëve ushtarake, është ende në arrati dhe policia, me ndihmën e FBI-së, është përfshirë në kapjen e tij.
Banorët janë urdhëruar të qëndrojnë brenda banesave që prej orës 19.00 të mbrëmjes së të mërkurës me orën lokale, sepse sulmuesi është i armatosur dhe i rrezikshëm.
Policia publikoi gjithashtu një fotografi të sulmuesit të armatosur dhe një imazh të makinës së tij, një Subaru Outback i bardhë, duke shpresuar se dikush do ta njohë atë dhe do të lehtësojë kapjen e tij.
Card mbetet ende i lidhur me ushtrinë në rezervistë dhe mësohet se kohët e fundit ka pasur probleme mendore, për të cilat u shtrua në spital për dy javë në verë para se të lirohej. Së fundmi, ai ka humbur punën.
Ndërsa gjuetia vazhdon, Lewiston thotë se shkollat do të mbyllen të enjten si një masë paraprake. Guvernatorja e Maine, Janet Mills, po ndjek nga afër zhvillimet e situatës dhe u bën thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e forcave të rendit.



