Duke filluar nga dita e premte, shërbimi i Urgjencës Kirurgjikale dhe kirurgjitë e patologjive malinje në QSUT do të transferohen në Spitalin Universitar të Traumës.
Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një komunikim me publikun.
“Në zbatim të plani të veprimit të miratuar nga Komitetit Teknik dhe Task Forca, sot ne kemi vendosur që për të lehtësuar kapacitetet e QSUT, për të krijuar zonat sanitare të sigurta për pacientët, të cilët trajtohen në spitale jo për COVID-19, që shërbimi i Kirurgjisë së Urgjencës dhe ndërhyrjeve Kirurgjikale për patologjitë malinje, përkatësisht Klinikat 1, 2 dhe Urologjisë në QSUT, të transferohen në Spitalin Universitar të Traumës, duke filluar nga dita e premte, datë 20 mars”, bëri të ditur Manastirliu.
Manastirliu tha se kemi kapacitetet për të pajisur ekipet mjekësore me mjete të mbrojtes personale.
“Lajmi i mirë është se 27 mjekë dhe infermierë të spitalit të Fierit kanë rezultuar negativë për COVID-19 dhe këtu kam një falenderim të veçantë për çdo mjek dhe infermier që me përgjegjësi e profesionalizëm po ndjek rregullat e mbrojtjes personale. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për të siguruar stokun e nevojshëm të materialeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe brenda javës presim dërgesën e radhës, ndërkohë që theksoj se personeli është është i pajisur me mjetet mbrojtëse personale në shërbimin shëndetësor. Paralelisht po punojmë për shtimin e numrit të respiratorëve në strukturën e Reaminacionit. Ndërkohë, është dyfishuar kapaciteti i respiratorëve në Spitalin Infektiv në QSUT”, tha ministrja.



