Për të disatën ditë me radhë mbështetës së kreut të Rithemelimit, Sali Berisha, janë mbledhur poshtë shtëpisë së tij në protestë, teksa lideri i opozitës ndodhet në “arrest shtëpie”.
Nga dritarja e banesës së tij, Berisha mbajti fjalim para mbështetësve duke thënë se pavarësisht shiut, asgjë nuk i pengon në një betejë pa kthim kundër të keqes së madhe që po rrënon çdo ditë qenien e kombit dhe që sipas tij quhet, Edi Rama dhe regjimi i tij.
Shpresa sot jeni ju, me qëndresën tuaj, të cilët keni vendosur të përballeni me diktaturën.
Jeni të vendosur që të qëndroni si opozitarë të pamposhtur, të mbroni liritë, të drejtat më themelore, dinjiteti njerëzor, nga narkoshteti i Edi Ramës që po rrënon çdo ditë Shqipërinë e shqiptarët.
Dy vjet më parë me instinktin tuaj të lirisë, në ndjesinë më fisnike të njeriut, të dinjitetit të tij, kur e patë se opozita me program po tradhtohej, se Shqipëria po dënohej me një opozitë aleate të Edi Ramës, u ngritët fuqishëm në kushtet më të jashtëzakonshme dhe i thatë jo, prerjes në besë të idealeve demokratike të shqiptarëve.
I thatë jo, presionit, shantazheve të mafies së Xhorxh Sorosit dhe mafies ndërkombëtare.
I thatë jo përpjekjes për një Shqipëri pa opozitë dhe rithemeluat opozitën e kombit shqiptar, e cila bëri gjithçka për të dalë në shesh, për të lënë mënjanë çdo mashtrim dhe gënjeshtër dhe ju tha shqiptarëve të vërtetën, se sot për vullnetin, votën, dinjitetin tuaj, ju keni një armik po kaq të egër sa në diktaturën më të zezë të së shkuarës komuniste.
Dhe ky armik është Edi Rama. Ju dolët në shesh të vendosur për të përmbysur murin e korrupsionit, të krimit të organizuar, për të hapur në këtë mënyrë me betejën tuaj epike, dyert e shqiptarëve për votën e lirë.
Ky reagim, kjo vendosmëri, kjo kthesë epike që morët ju, tronditi, tmerroi tiraninë, tmerroi bajlozët e krimit, regjimin e drogës, bandave, dhe vjedhjeve, dhe u hodh në sulm total kundër opozitës.
Me një akt të pashembullt mohoi çdo të drejtë deputetëve në parlament. Edi Rama u tmerrua sepse opozita u ngrit dhëmbë për dhëmbë me të, kundër aferës së portit të Durrësit, parajsës së tij dhe të trafikantëve të drogës, duke u vjedhur shqiptarëve më së paku një truall që shkon miliarda Euro.
Edi Rama u tërbua, kaloi në aksion brutal kundër opozitës, sepse opozita denoncoi një e nga një të gjitha vjedhjet e thjeshtrës së tij me pushtetin e njerkut të artë.
Opozita u tregoi shqiptarëve se morali i tyre është vetëm një; vjedhja dhe vetëm vjedhja juaj.
Atëherë Edi Rama vendosi të kalojë na masa ekstreme, të akuzojë Sali Berishën për korrupsion sepse dhëndëri i tij ka marrë 410 metër tokë të trashëguar nga familja, mes 1 miliardë e 577 milionë e 400 mijë metra katrorë që morën mbi 510 mijë shqiptarë.
Edi Rama kërkon të mbrohet me dhunim të të drejtave, me mashtrime, trillime, por ne jemi këtu.
Ne jemi këtu për ti thënë nga kjo rrugë, se Edi Rama nuk ke të ardhme, se vjedhjet, plaçkitja e Shqipërisë, e votës së lirë, se pushteti yt mbi krimin, drogën, do të jetë shumë shpejt para gjyqit të historisë.



